Politike
Rama dialog me të rinjtë? Shpërthen PD-ja: Ata janë patronazhistë, dorëheqje
Partia Demokratike kundërshton takimin e zhvilluar nga kryeministri Edi Rama me disa të rinj në Pallatin e Brigadave, duke pretenduar se ata nuk përfaqësojnë studentët që prej ditësh protestojnë. Kryetari i Grupit Rinor Universitar Demokrat, Jurgen Spaho, i cilësoi të pranishmit si patronazhistë të Partisë Socialiste dhe akuzoi kryeministrin se po e përdor takimin për propagandë politike.
Në një deklaratë publike, Spaho tha se Rama po përpiqet të krijojë përshtypjen e një dialogu me rininë, ndërsa, sipas tij, po shpërfill kërkesat e studentëve që kanë dalë në protestë. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për reagimin ndaj protestuesve, duke përmendur dhunën, gjobat dhe masat ligjore që, sipas tij, kufizojnë lirinë e lëvizjes.
Spaho kundërshtoi edhe praninë e pedagogëve në takim, duke pretenduar se ata janë bërë pjesë e asaj që e quajti një “skenografi politike”, në vend që të mbrojnë autonominë universitare.
Deklarata e kryetarit të Grupit Rinor Universitar Demokrat, Jurgen Spaho:
Ajo që Edi Rama provoi dje të shesë si dialog me studentët protestues, nuk ishte gjë tjetër veçse një takim propagandistik me patronazhistët e tij. Një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar përshtypjen se po dëgjon rininë, ndërkohë që po shpërfill zërin e mijëra studentëve që kanë dalë në rrugë për të kërkuar përgjegjësi politike dhe largimin e tij. Jo vetëm kaq por i dhunoi, i gjobiti, bëri paketë ligjore për tu kufizuar lëvizjen e lirë.
Qytetarët duhet ta dinë: ata që u ulën sot me Edi Ramën nuk përfaqësojnë studentët protestues! Ata janë anëtarë të strukturave politike të Partisë Socialiste, patronazhistë të pushtetit, të cilët kryeministri i përdor si dekor për propagandën e tij. E njëjta gjë vlen edhe për pedagogët e pranishëm, të cilët, në vend që të mbrojnë dinjitetin dhe autonominë universitare, zgjodhën të bëhen pjesë e një skenografie politike.
Studentët e vërtetë nuk kanë kërkuar fotografi, favore apo takime fasadë me kryeministrin. Ata kanë artikuluar një qëndrim të prerë, një ultimatum politik dhe qytetar: NUK KA DIALOG ME EDI RAMËN PA DORËHEQJEN E TIJ!
Në cilësinë e Kryetarit të Grupimit Rinor Universitar Demokrat, duke i njohur studentët, protestën dhe kërkesat e tyre, dua tu siguroj se zëri i studentëve protestues nuk mund të tjetërsohet, korruptohet apo manipulohet nga askush. Ne e dimë cfarë duan dhe qëndrojmë në krah të tyre dhe mbështesim kërkesat e tyre.
Rinia nuk është dekor i pushtetit, universiteti nuk është celulë partie dhe protesta nuk negociohet me marioneta politike!
Edi Rama, ik me dorëheqje!
Studentët nuk të takojnë. Për ta nuk vlen as sa Ramiz Alia në vitin 1990.