Kosova
KOSOVA ZGJEDH PRESIDENTEN/ KURTI ZBULON ANGAZHIMIN E RRADHES: FOKUSI TE APELI NE HAGE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për stabilitetin institucional të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka uruar presidenten e re dhe qytetarët e Kosovës, ndërsa ka falënderuar deputetët që morën pjesë në procesin e votimit.
Në reagimin e tij, kryeministri është ndalur edhe te ndryshimet ligjore që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Kurti ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të punojnë për të mbështetur procesin e apelimit të ish-krerëve të UÇK-së.
“Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile”, ka shkruar Kurti.
Ai ka përmendur gjithashtu ndryshimet në ligjin për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar, duke theksuar angazhimin institucional për procesin gjyqësor në Hagë.
“Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel”, ka deklaruar kryeministri.
Kurti ka falënderuar deputetët pjesëmarrës në votim, si dhe kryetarin Hamza për pranimin e propozimit, duke e cilësuar arritjen e kompromisit si një proces që ka kërkuar “shumë mund e përpjekje”.
“Për Republikën e Kosovës! Urime presidentes së re dhe të gjithë qytetarëve!”, ka përfunduar Kurti.