Bota
S’KA NATO/ Rubio jep sinjalin e fortë për Ukrainën: Anëtarësimi nuk është në tryezë
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është aktualisht pjesë e diskutimeve të Uashingtonit, ndërsa administrata amerikane po përqendrohet te përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë.
Gjatë një konference për shtyp Rubio u pyet për qëndrimin e SHBA-së ndaj kërkesës së Ukrainës për anëtarësim në aleancën ushtarake.
“Për këtë nuk ka një përgjigje po ose jo”, tha Rubio, duke sqaruar më tej se anëtarësimi i Ukrainës në NATO “nuk është në tryezë tani për tani”.
Sipas sekretarit amerikan të Shtetit, një vendim i tillë do të kërkonte mbështetjen e të gjitha 32 vendeve anëtare të NATO-s.
“Për momentin, kur bëhet fjalë për Ukrainën, ne jemi të përqendruar thjesht në përfundimin e këtij konflikti”, deklaroi Rubio, duke shtuar se Uashingtoni është i gatshëm të luajë një “rol konstruktiv” në përpjekjet për arritjen e paqes.
Anëtarësimi në NATO ka qenë prej vitesh një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme të Ukrainës. Kievi e ka formalizuar këtë synim edhe në kuadrin e tij kushtetues, ndërsa në shtator të vitit 2022 presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dorëzoi kërkesën për një anëtarësim të përshpejtuar në aleancë.
Megjithatë, NATO nuk ka vendosur një afat për anëtarësimin e Ukrainës dhe disa vende anëtare kanë shprehur kundërshtime ndaj këtij procesi.
Edhe presidenti amerikan Donald Trump ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme për përfundimin e luftës. Në prag të takimit me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë, në shkurt 2025, Trump deklaroi se Ukraina duhet ta “harrojë” NATO-n.
Ndërkohë, administrata amerikane ka intensifikuar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit. Të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë zhvilluar takime me përfaqësues të Rusisë dhe Ukrainës në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje diplomatike.
Nga ana tjetër, Moska e ka renditur prej kohësh zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe ambiciet e Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës ndër arsyet kryesore të shqetësimeve të saj të sigurisë.