Kronike
Ish-drejtori i policisë: Nuk e njoh Ergys Agasin, e mora në rrugë se më bëri ‘autostop’
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për ish-drejtorin e Policisë së Elbasanit, Uljan Shpataraku, pasi në automjetin e tij u kap biznesmeni Ergys Agasi.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Shpataraku ka pretenduar se nuk e njihte Agasin dhe se takimi me të kishte qenë rastësor, gjatë kthimit nëpërmjet rrugës së vjetër të Elbasanit. Sipas tij, Agasi i kishte bërë shenjë për të hipur në makinë dhe ishte prezantuar me emrin “Berti”, duke i thënë se merrej me dyer alumini.
“Deklaroi se, gjatë kthimit nëpërmjet rrugës së vjetër të Elbasanit, një person i kishte bërë shenjë dhe ai e kishte marrë në makinë. Deklaroi se më pas, gjatë rrugës, ishin ndaluar nga policia dhe ishin dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Shpjegoi se gjatë rrugës kishte zhvilluar bisedë me Agasin dhe se ky i fundit i kishte thënë se quhej Berti dhe merrej me dyer alumini. Deklaroi se në atë moment nuk e kishte ditur se bëhej fjalë për Ergys Agasin”, thuhet në dosjen e gjykatës.
I pyetur se si ishte e mundur që nuk e kishte njohur Agasin, pavarësisht se ky i fundit ishte person në kërkim, Shpataraku ka dhënë një tjetër shpjegim.
“Si mund ta njihja unë z. Agasi që ishte në kërkim kur z. Agasi ishte kur hipi në makinën time me mjekër, me kapele, me shapka”, ka deklaruar ai.
Por në dosjen e gjykatës përfshihet edhe raporti i vëzhgimit policor, i cili paraqet një tjetër version të lëvizjeve të automjetit.
Sipas raportit, në orën 11:59, Audi A6 i drejtuar nga Shpataraku është konstatuar duke hyrë në kompleksin e vilave në Durrës, ku policia kishte lokalizuar Agasin. Vetëm tre minuta më vonë, në orën 12:02, automjeti është parë duke dalë nga parkimi nëntokësor. Në sediljen e parë të pasagjerit ndodhej një person që dyshohej se ishte Ergys Agasi.
Automjeti është mbajtur më pas nën vëzhgim në drejtim të Elbasanit. Kur makina është ndaluar pranë Plepave, policia ka konstatuar në sediljen e pasagjerit pikërisht Ergys Agasin.
Këto të dhëna janë pjesë e materialeve të dosjes mbi të cilat Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë ndaj Shpatarakut, ndërsa pretendimet e tij dhe të dhënat e vëzhgimit policor paraqesin dy versione të ndryshme mbi mënyrën se si ka ndodhur takimi me Agasin.