✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Kredia 2% për bizneset/ Rama zbulon shifrat: 400 sipërmarrje në proces

Kryeministri Edi Rama ka folur për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, gjatë një takimi me drejtues të bizneseve të vogla dhe të mesme.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Rama, rreth 400 biznese janë aktualisht në proces aplikimi në kuadër të kësaj skeme, ndërsa deri tani janë miratuar 32 kredi, me një vlerë totale prej rreth 5 milionë eurosh.

Rama tha se interesi për programin është në rritje dhe se ritmi i aplikimeve dhe miratimeve është përshpejtuar. Sipas tij, skema synon të mbështesë bizneset që kanë kaluar fazën fillestare të aktivitetit dhe kanë nevojë për financim për zgjerimin e tyre.

“Programi ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënd’ ka ardhur si një nevojë për të mbështetur nga shumë afër sipërmarrje të vogla, të mesme që ia kanë dalë t’i mbijetojnë sfidave të krijimit të tyre në një treg të hapur, ia kanë dalë të përballojnë vështirësitë që çdo biznes i vogël përballon. Sot kanë akumuluar dije, kanë qartësi se si mund të rriten, por nuk kanë mundësitë financiare”, u shpreh Rama.

Kryeministri bëri të ditur se programi parashikon kredi me interes deri në 2%, ndërsa shteti ofron garanci deri në 70% të kredisë.

“Ne kemi krijuar këtë skemë, e cila faktikisht ofron një kredi me interes deri në 2%, kredi shumë e butë dhe me një garanci shtetërore deri në 70%. Është një kornizë shumë e favorshme, e bërë enkas për biznesin e vogël dhe të mesëm”, deklaroi ai.

Rama tha se numri i bizneseve në proces dhe ritmi i miratimeve tregojnë, sipas tij, për rritje të interesit për skemën, ndërsa theksoi se programi ka hapësirë për përfshirjen e më shumë bizneseve.

“Më vjen mirë që po shoh një rritje të interesit, sot që flasim kemi rreth 400 biznese që janë në proces, kemi praktikisht 32 kredi të miratuara, për një vlerë që shkon te rreth 5 mln euro. Ajo që na vjen mirë të shohim është ritmi i përshpejtuar. Hapësira është për shumë më tepër”, tha kryeministri.

Advertisement