Politike
Dy ish-drejtorët rikthehen në SPAK/ Çfarë fshihet pas dosjes së tenderave
Ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, dhe ish-drejtori i KESH, Erald Elezi, janë paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të hetimeve që zhvillohen ndaj tyre.
Sipas raportimeve, Gjyli ka qëndruar rreth 30 minuta në ambientet e SPAK dhe është shoqëruar nga avokati i tij. Të dy ish-drejtorët janë paraqitur edhe javët e mëparshme pranë SPAK, ndërsa ndaj tyre vijojnë procedurat hetimore dhe gjyqësore.
Gjyli dhe Elezi janë marrë të pandehur në një dosje që lidhet me akuzën e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera”. Për secilin prej tyre rëndojnë nga dy akuza për shkelje të barazisë në bashkëpunim.
Hetimi lidhet me procedurat e prokurimit për tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Sipas SPAK, ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, mes tyre Gjyli dhe Elezi, dyshohet se kanë paracaktuar fituesit e procedurave dhe kanë krijuar avantazhe të padrejta për operatorë ekonomikë.
Në rastin e tunelit të Llogarasë, SPAK ka ngritur dyshime për përzgjedhjen e bashkimit të kompanive turke, ku Gjyli dhe Elezi kanë qenë pjesë e personave të përfshirë në procesin e vlerësimit të ofertave.
Sipas organit të akuzës, oferta fituese për tunelin ishte rreth 180 milionë euro pa TVSH, ndërsa në tenderin e parë ishte paraqitur një ofertë më e ulët, prej rreth 140 milionë eurosh.
Në nëntor 2025, GJKKO vendosi masën “arrest në shtëpi” për Gjylin dhe Elezin. Më 21 gusht 2026, gjykata zbuti masat e sigurisë, duke i kaluar në “detyrim paraqitjeje” dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, pas tejkalimit të afateve të masave.
Ndërkohë, në prill 2026, SPAK kishte kërkuar për secilin prej tyre dënimin me 1 vit e 6 muaj burgim, me uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar.