✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

SPAK zbardh skemën e rrëmbimit dhe vrasjes së Renis Dobrës

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë katër persona, të akuzuar për rrëmbimin, mbajtjen peng dhe vrasjen e Renis Dobrës, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2025.

Në bankën e të akuzuarve janë dërguar Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha, i njohur edhe si Çakraj, Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj.

Sipas SPAK, katër të pandehurit akuzohen për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Hetimi lidhet me ngjarjen e 8 korrikut 2025. Sipas Prokurorisë së Posaçme, të dyshuarit kanë bashkërenduar veprimet për të lokalizuar, rrëmbyer dhe më pas vrarë Renis Dobrën.

SPAK thotë se lëvizjet e personave të përfshirë janë dokumentuar përmes kamerave të sigurisë, të dhënave GPS të automjeteve me qira, tabulateve telefonike dhe të dhënave të nxjerra nga celularët e personave nën hetim.

Sipas dosjes hetimore, Renis Dobra është pikasur pranë “Urës së Matit”, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip Benz. Pas tij dyshohet se është vënë në ndjekje një automjet Hyundai Santa Fe, në të cilin ndodheshin Petrit Hoxha dhe Kristë Bushgjokaj.

Sipas SPAK, dy personat kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një tjetër automjet, tip Range Rover.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.181 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve:

  1. Fation Bushgjokaj
  2. Petrit Hoxha (Çakraj),
  3. Kristë Bushgjokaj
  4. Aleksandër Bushgjokaj

Të katër të pandehurit akuzohen për veprat penale: “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 109/3, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal.

Procedimi është regjistruar për faktin penal të datës 8.7.2025, ku, sipas rezultateve të hetimit, Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj kanë kryer veprime të koordinuara me qëllim rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R.D.

Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe të dhënave të pajisjeve GPS të automjeteve të marra me qira dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, është dokumentuar lëvizja e të pandehurve në qytetin e Burrelit dhe në aksin rrugor Klos–Zenisht, në kërkim të viktimës. Sipas hetimit, pranë vendit të quajtur “Ura e Matit”, shtetasi R.D. është pikasur në automjetin e tij Benz dhe është ndjekur nga automjeti Hyundai Santa Fe, në të cilin ndodheshin Petrit Hoxha (Çakraj) dhe Kristë Bushgjokaj. Këta provohet se kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër, Range Rover.

Ndjekja ka vijuar deri në vendin e quajtur “Kroi i Suçit”, ku rreth orës 21:58, provohet se automjeti Range Rover i ka bllokuar rrugën viktimës. Sipas rezultateve të hetimit, R.D. është nxjerrë forcërisht nga automjeti i tij dhe nën dhunën e autorëve, është futur në automjetin Range Rover.

Më pas të tre automjetet kanë ecur njëri pas tjetrit nga qyteti i Burrelit në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit, ku provohet se është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja shtetasit R.D. nga autorët e veprës penale. Kjo vërtetohet edhe nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor.

Sipas hetimit, më pas automjeti i viktimës, së bashku me trupin e tij, është hedhur në drejtim të ujërave të liqenit të Ulzës, me qëllim fshehjen dhe zhdukjen e tij.

Nga analiza e lëvizjeve të automjeteve, këqyrja e kamerave pranë vendngjarjes, pajisjeve GPS, tabulateve telefonike dhe të dhënave të nxjerra nga pajisjet telefonike të personave nën hetim, është arritur në përfundimin se plani për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit R.D ka qenë i strukturuar dhe i koordinuar, duke e kryer veprën penale në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal.

Advertisement