Politike
Marta Kos me mesazh të prerë për Serbinë: Duhet të bëni më shumë, Shqipëria ecën përpara
Serbia nuk do të përfshihet në udhërrëfyesit e rinj të Komisionit Evropian për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian ka konfirmuar se në paketën e zgjerimit që pritet të publikohet më 28 tetor do të paraqiten udhërrëfyes të posaçëm për katër vende që konsiderohen ndër më të avancuarat në proces: Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë.
Udhërrëfyesit do të përcaktojnë hapat e ardhshëm, afatet orientuese dhe objektivat që këto vende duhet të përmbushin në rrugën drejt anëtarësimit.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha në Parlamentin Evropian se Serbia duhet të bëjë më shumë për të avancuar në procesin e integrimit.
Ajo nënvizoi veçanërisht rëndësinë e përputhjes strategjike dhe të politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian.
Në diskutimin e zhvilluar në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos konfirmoi se katër vendet e përfshira në udhërrëfyes janë Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Sipas saj, këto vende kanë shënuar progres të konsiderueshëm dhe udhërrëfyesit do t’u japin më shumë parashikueshmëri procesit të integrimit.
Për Serbinë, mungesa e këtij mekanizmi të ri shihet nga analistët si një sinjal për nevojën e përshpejtimit të reformave dhe të angazhimit konkret në procesin e anëtarësimit.
Komisioni Evropian ka theksuar se procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritat individuale dhe në rezultatet konkrete të reformave. Për vendet që përparojnë, BE-ja synon të ofrojë edhe forma të integrimit gradual përpara anëtarësimit të plotë.
Në këtë kuadër, Shqipëria është tashmë pjesë e grupit të katër vendeve për të cilat Komisioni Evropian do të hartojë udhërrëfyes të posaçëm, një zhvillim që e vendos Tiranën në grupin e vendeve që Brukseli i konsideron më të avancuara në këtë fazë të procesit.