✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Braçe “u frikësua” nga Rama? Çfarë ndodhi pak para se të votohej Reforma Territoriale?

Kuvendi miratoi pas mesnatës Reformën Territoriale me 85 vota pro dhe 34 kundër, duke i hapur rrugë reduktimit të numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.

Mazhoranca e argumenton ndryshimin me nevojën për të krijuar bashki më të fuqishme financiarisht, ndërsa opozita dhe përfaqësues të pushtetit vendor kanë ngritur shqetësime për mënyrën e konsultimit publik dhe procesin e hartimit të ndarjes së re territoriale.

Mes deputetëve që votuan pro ishte edhe Erion Braçe, i cili fillimisht kishte shprehur kundërshtime ndaj reformës, duke kërkuar që diskutimi të niste nga kompetencat dhe financat e bashkive, përpara përcaktimit të hartës së re.

Për këtë çështje foli edhe deputeti socialist Blendi Klosi, i ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, me moderatore Sidorela Gjonin. Ai shpjegoi se brenda grupit parlamentar kishte pasur diskutime për qëndrimet e ndryshme, por theksoi se vendimet politike kërkojnë respektimin e rregullave të grupit.

I pyetur se si u bind Erion Braçe të votonte pro, Klosi tha se kishte qenë i pranishëm në diskutimet e zhvilluara dhe se Braçe kishte paraqitur arsyet e kundërshtimit të tij.

“Erioni shprehu dhe në mbledhjen e grupit arsyet pse do të donte të bëhej në kah të kundërt diskutimi. Pra, në radhë të parë të flitej për kompetencat, të flitej për financat e bashkive, të flitej për çfarë do të bëhej më mbrapa dhe më pas të hynim te harta”, u shpreh Klosi.

I pyetur nëse deputetët kishin votuar nën presionin e deklaratës “kush nuk voton le të ikë”, deputeti socialist e mohoi këtë interpretim, duke iu referuar rregullores së grupit parlamentar dhe statutit të partisë.

“Jo, nuk është presion i një fjalie, është e shkruar në rregulloren e grupit parlamentar, në statutin e partisë, kur vota është politike, do të duhet të ndiqet nga të gjithë”, deklaroi ai.

Klosi këmbënguli se brenda grupit lejohet shprehja e mendimeve të ndryshme dhe se, sipas tij, qëndrimi i Braçes ishte dëgjuar gjatë diskutimeve. Megjithatë, ai theksoi se në fund vendimmarrja e një force politike kërkon bashkimin e qëndrimeve rreth vendimit të përbashkët.

Duke iu referuar kundërshtimit të Braçes për shkrirjen e Bashkisë Divjakë, Klosi tha se deputeti kishte paraqitur opinionin e tij, por se diskutimet brenda strukturave politike synojnë të çojnë drejt një qëndrimi të përbashkët.

Miratimi i reformës e çon procesin drejt një organizimi të ri të pushtetit vendor, ndërsa mbeten në vëmendje mënyra e zbatimit të ndarjes së re, ndikimi te shërbimet për qytetarët dhe garancitë për përfaqësimin e komuniteteve në bashkitë që do të bashkohen.

Advertisement