Kronike
“Me i qelbanikos krejt…”/ Dalin SMS-të, vrasja e gjyqtarit u planifikua 4 ditë më parë?
Vrasja e gjyqtarit të Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, më 6 tetor 2025, dyshohet se ishte planifikuar katër ditë përpara ngjarjes. Në dosjen hetimore, prokurorët i referohen mesazheve të zbuluara gjatë ekzaminimit të telefonave të sekuestruar të Elvis Shkambit, autorit të dyshuar, dhe xhaxhait të tij, Gjon Shkambi.
Sipas dosjes, tre ekspertë të laboratorit kibernetik pranë SPAK kanë identifikuar komunikime që Elvis Shkambi i kishte dërguar xhaxhait të tij në ditët para vrasjes. Mesazhet po shqyrtohen nga prokuroria si pjesë e provave për të përcaktuar nëse ngjarja ishte e paramenduar.
Më 2 tetor 2025, në orët e mbrëmjes, Elvis Shkambi i ka shkruar Gjon Shkambit: “…e me i qelbanikos krejt…”.
Një ditë më pas, më 3 tetor, në orën 22:56, ai i ka dërguar një tjetër mesazh, ku shkruante: “…situata asht e randë boll, pa e randu edhe pak ma shumë…”.
Vetëm dy minuta më vonë, sipas dosjes, ai i ka shkruar sërish xhaxhait: “…të ruajmë nervat për të Hanën…”. E hëna, 6 tetor, ishte dita kur gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Sipas të dhënave të dosjes, Kalaja u qëllua me tre plumba pistolete të markës “Welt Waffen Ë. Germany, Cal.765 mm, Broëning”. Të tre plumbat kanë qenë tejshkues dhe, sipas aktit të ekspertimit, kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme të gjyqtarit.
Prokurorët Arenc Çela dhe Ridvan Suka dyshojnë se komunikimet e zbuluara mbështesin pistën se vrasja ishte planifikuar paraprakisht. Megjithatë, kuptimi i mesazheve dhe lidhja e tyre me ngjarjen duhet të vlerësohen në kuadër të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor.
Tri akuza ndaj Elvis Shkambit
Elvis Shkambi përballet me tri akuza: “Vrasja e funksionarëve publikë”, për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja; “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim”, në dëm të Ragip Kurtajt dhe Ervis Kurtajt; si dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve shpërthyese”.
Nëse shpallet fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet, ai rrezikon një dënim nga 35 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.
Gjatë hetimeve, sipas dosjes, nuk është konstatuar përfshirja e Gjon Shkambit në vrasjen e gjyqtarit. Ai u arrestua dhe u hetua fillimisht për këtë ngjarje, por kjo akuzë nuk u provua. Megjithatë, prokuroria pretendon se ndaj tij janë gjetur prova për përfshirje në veprime kriminale të lidhura me akuzën për vrasjen në rrethana cilësuese të Ragip Kurtajt dhe Ervis Kurtajt, në bashkëpunim.
Në të njëjtën çështje është marrë i pandehur edhe Banush Koxhaj, punonjës i Gjykatës së Apelit në Tiranë. Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, pasi, sipas akuzës, nuk ka kryer kontrollin fizik pas sinjalit të kuq të dhënë nga skaneri i sigurisë në gjykatë.
Çështja ndodhet në fazën e gjykimit paraprak në Gjykatën e Tiranës, ndërsa procesi gjyqësor pritet të nisë në muajt në vijim. Gjatë gjykimit do të shqyrtohen provat dhe pretendimet e palëve për të përcaktuar përgjegjësinë penale të të pandehurve.