Kronike
Tri pistoleta, tre të arrestuar dhe një vrasje e dyshuar/ Kush ishte objektivi në Lezhë?
Arrestimi i tre personave në Lezhë, të dyshuar për planifikimin e një vrasjeje, ngre pikëpyetje mbi mënyrën si ishte organizuar ngjarja e dyshuar, rolin që kishte secili prej tyre dhe personin që mund të ishte objektiv i sulmit. Sipas policisë, dy prej të arrestuarve lëviznin të armatosur dhe me skafandra në një motomjet të vjedhur në Suedi, ndërsa personi i tretë dyshohet se do t’i ndihmonte të largoheshin nga zona me automjet.
Të arrestuarit janë identifikuar si E.T, K.Y, i njohur edhe si Sh.P, V.P
Sipas versionit të policisë, tre personat dyshohet se vepronin në bashkëpunim dhe kishin planifikuar të kryenin vrasjen. Dy prej tyre u konstatuan në rrugën e vjetër Pllanë–Lezhë, të armatosur dhe me skafandra, ndërsa i treti dyshohet se kishte rolin e mbështetjes për largimin e tyre pas kryerjes së krimit të planifikuar.
Gjatë operacionit u sekuestruan tri armë zjarri të llojit pistoletë, si dhe automjeti dhe motomjeti që, sipas policisë, do të përdoreshin në këtë rast.
Njoftimi i plotë:
Si rezultat i punës së mirëorganizuar operacionale të specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të intensifikimit të punës operative dhe kontrolleve, me objektiv madhor parandalimin e ngjarjeve kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Detajet”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit E. T., 25 vjeç, banues në fshatin Barbullush, K. Y. (Sh.), 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe V. P., 38 vjeç, banues në Kurbin (shtetas me precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë shtetit).
Menjëherë pas marrjes së informacionit se në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë” dy shtetas me skafandra, të cilët lëviznin me motomjet, kryenin lëvizje të dyshimta, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe shkuan në zonën e sinjalizuar.
Si rezultat i patrullimeve komplekse dhe krehjes së zonave ku dyshohej se kishte lëvizur motomjeti, në Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush”, u ndalua automjeti tip “Volksëagen”, me të cilin po lëviznin shtetasit V. P. dhe K. Y. (Sh.), të konstatuar më parë duke lëvizur me motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”.
Këta shtetas shoqëroheshin në automjet nga bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E.T., drejtuesi i automjetit, me qëllim largimin nga zona ku kishin planifikuar vrasjen.
Gjatë kontrollit fizik, të motomjetit dhe në banesën e shtetasit E. T. dhe përreth saj, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta), me krehra dhe fishekë, municion luftarak, motomjeti i dyshuar i përdorur për rastin, çelësat e të cilit iu gjetën shtetasit 34-vjeçar.
Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.