✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Ndryshojnë sërish çmimet e karburanteve brenda 24 orësh! Ulet nafta, shtrenjtohet benzina

Bordi i Transparencës ka vendosur të ndryshojë sërish çmimet e karburanteve në vend, vetëm 24 orë pas vendimit të mëparshëm.

Duke nisur nga ora 12:30 e kësaj të shtune (10 tetor), nafta do të tregtohet me 211 lekë për litër, ndërsa benzina me 195 lekë për litër.

Sipas vendimit të ri, çmimi i naftës është ulur me 2 lekë për litër krahasuar me një ditë më parë, kur tregtohej me 213 lekë. Në të kundërt, benzina ka pësuar një rritje prej 1 leku, duke kaluar nga 194 në 195 lekë për litër.

Bordi i Transparencës ka përcaktuar gjithashtu se çmimi maksimal i shitjes me shumicë për naftën do të jetë 199 lekë për litër, ndërsa për benzinën 183 lekë për litër.

Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së zhvilluar më 10 tetor 2026, në kuadër të masave për kontrollin e çmimeve në tregun e hidrokarbureve.

Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi në orën 12:30 dhe do të mbeten të pandryshuara deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen sërish zhvillimet në treg.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka theksuar angazhimin për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.

Njoftimi i Bordit të Transparencës:

Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.

Kështu Bordi i Transparencës në datë  10 Tetor 2026, vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 211 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se  199 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 10 ora  12.30  dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

 

 

Advertisement