✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

“Nëse voton kundër e sheh veten jashtë”/ Braçe sfidon Ramën: S’më kërcënon dot…

Deputeti socialist Erion Braçe ka shpjeguar arsyet e votës së tij pro projektligjit për Reformën Territoriale, ndonëse ka kundërshtuar pjesë të tij dhe është përplasur publikisht me kryeministrin Edi Rama. Në një reagim të gjatë, Braçe rendit pesë arsye për qëndrimin e tij, duke folur për votën, përgjegjësinë e deputetit, presionin politik dhe nevojën për decentralizimin e pushtetit.

Ai thotë se vota e tij nuk ishte votë në mbështetje të Ramës, por një vendim për të qëndruar në Kuvend dhe për të vijuar punën si deputet. Braçe gjithashtu pretendon se qëndrimi i tij ka prishur një plan politik të brendshëm, të cilin e cilëson si “të poshtër”.

Reagimi i plotë i Erion Braçes:

1. “Së pari, nuk ia lejoj Edi Ramës të flasë për votën time dhe, nëpërmjet saj, të lëshojë mesazhe kundër kujtdo që ka në mendje. Nuk mund ta bëjë këtë në emrin tim, duke përmendur votën time. Siç e pohoi edhe ai në mbledhje, unë nuk kam votuar pro tij. Ai e kishte numëruar këtë ‘shumë herë’; ndaj, ta lërë këtu, me kaq.

Ajo që kërkoj prej tij dhe që ai ua ka detyrim socialistëve sot, është të thotë se cilat ‘duar të pista, disa të dukshme e disa të padukshme, por tashmë të zbuluara’, më paskan ngatërruar mua. Derisa ta bëjë këtë, ka kohë të shohë tek vetja — dhe, nëse dëshiron, edhe rreth vetes, por më shumë tek vetja — dhe të pranojë se aktet dhe vendimet e gabuara burojnë edhe nga mënyra se si ai mendon, i imponon dhe i paraqet si zgjidhjet më të mira të mundshme, pa u dhënë të tjerëve mundësinë të shprehen.

Ai mund ta pranojë që të tjerët kanë të drejtë, por jo në një moment kur kjo mund të cenojë autoritetin e tij, i cili duhet të jetë i padiskutueshëm. Kjo ndodh në një formë që u thuhet të tjerëve me arrogancë dhe si urdhër: ‘Po si ti e paske mirë dhe gjithë ky grup e paska gabim?’, për t’i relativizuar, zhvlerësuar e ndëshkuar. Ndërkohë, duke parë nga vetja, mund të shtrohej edhe pyetja: ‘Pse ti e paske mirë dhe një shumicë edhe më e madhe se një grup e paska gabim?’”

2. “Së dyti, nuk kam gënjyer askënd që të më quajnë gënjeshtar; nuk i kam dhënë besën askujt që të më quajnë të pabesë. Nuk kam tradhtuar asnjë nga 25 mijë njerëzit që më votuan një vit më parë, apo të tjerë që më kanë votuar gjatë 30 viteve.

Të isha kundër projektligjit për ndarjen administrative e territoriale ishte zgjedhja ime, e bazuar në bindjen se ai ligj nuk ishte dhe nuk është reformë, por një vizatim i ri i territorit administrativ: i përkohshëm, i paqëndrueshëm dhe i pamjaftueshëm si reformë. Këtë e pranoi edhe vetë Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.

Ky ishte dhe mbetet qëndrimi im. Ai nuk është ndikuar nga askush që sot përpiqet ta lidhë me veten, kur nuk ka lidhje me të. Aq më pak lidhet me një ‘robot të ndyrë’ në rrjet, që nuk është banor i një zone të prekur.”

3. “Së treti, të qenit deputet është punë dhe Kuvendi është vendi im i punës. Edi Rama i ka hartuar listat sipas mënyrës së tij; punën ma kanë dhënë njerëzit me votë.

Njëzet e pesë mijë njerëz — mes tyre socialistë, të majtë dhe qytetarë të zakonshëm të këtij qyteti e jo vetëm — menduan se unë mund ta bëj këtë punë dhe kanë të drejtë të ma kërkojnë. Unë jam këtu, në Tiranë.

Kam një detyrim të madh moral ndaj të gjithë atyre që ma kanë besuar këtë punë ndër vite dhe të cilëve u jam përgjigjur me përulësi, modestisht dhe me mirënjohje. Kam qenë pranë tyre atje ku banojnë e jetojnë, pa munguar, duke i mbrojtur dhe duke punuar për përmirësimin e jetës së tyre. Nuk e kam bërë kurrë vetëm, por së bashku me shokë e miq të kësaj rruge, të këtyre qeverive socialiste dhe, veçanërisht, të bashkive.

E bëra edhe këtë herë, pa ma kërkuar askush, deri në momentin kur puna që më kanë besuar njerëzit mund të zhbëhej përmes një riformatimi antidemokratik, të mbështetur në një model tjetër antidemokratik: ‘Ose voto, ose je jashtë grupit’; dhe më pas: ‘Mund të punosh me këtë qeveri në këtë grup, por jo jashtë tij’.

E thashë në mbledhje dhe do të vijoj ta them: kur kam të drejtë, ushtrimi i disiplinës përmes presionit, sipas rastit, është një nga deformimet më të mëdha antidemokratike që po i ndodhin Partisë Socialiste. Të të thonë në sy ‘po, ke të drejtë’, ndërsa kjo e drejtë mënjanohet përmes disiplinës së imponuar nga ‘thupra’ apo nga ‘bariu’ i vetëshpallur, është e papranueshme.”

4. “Së katërti, unë votova që të mos largohem, por të qëndroj dhe të bëj punën. Kushdo që e njeh këtë punë e di mirë se ajo varet nga vota e shumicës dhe është e vështirë, kufizuese: të rrëzon, të thyen, të bën copash, aq sa nuk merr dot frymë. Por unë e kam pranuar këtë punë dhe nuk mund të tërhiqem; e kam të ndaluar të tërhiqem.

Nuk e di nëse keni parë dikë tjetër që sulmohet dhe qëndron, linçohet dhe rri përballë; që i shkojnë te vendi ku jeton dhe ku punon, ndërsa ai vazhdon punën, dëgjon dhe përgjigjet, me kosto të madhe personale e familjare. Keni parë?

Prandaj vendosa të qëndroj dhe të bëj punën. E di që kam prishur një plan që politika e ka të vetin, të brendshëm, të poshtër e të përhershëm, por nuk mund të bëj pa të. Për Nesti numëruesin dhe numëruesit e tjerë, unë jam 85-a; 84-a ishte aty për planin.”

5. “Së pesti, unë qëndrova për REFORMËN, për të cilën na votuan, jo për hartën. Besojeni ose jo, por pa reformën harta bëhet e keqe, jo vetëm si hartë; ajo ndryshon për keq dhe në mënyrë brutale jetën e njerëzve në bashkitë që përthithen dhe në bashkitë qendër.

Mendoj se reforma e pushtetit dhe e pushtetit vendor është mundësia që kemi përpara: qeveria t’i transferojë pushtetit vendor më shumë pushtet, kompetenca, funksione, buxhet, tatime e taksa, të ardhura, prona dhe mundësi për përdorimin e tyre për qëllime ekonomike e investime.

Ky është pushteti i njerëzve, ai me të cilin ata përballen çdo ditë. Është pushteti më legjitim, sepse zgjidhet, në krahasim me pushtetin që u jepet drejtorëve të emëruar të qeverisë. Ai duhet të ketë kompetenca, funksione, buxhete dhe politika të mbështetura e të financuara realisht, ndryshe nga kompetencat formale, deri në atë pikë sa nuk ushtrohen. Kontrolli, sigurisht, është detyrë.

A është e vështirë të bëhet kjo? Po, është e vështirë. Gjatë katër ditëve pyeta shpesh: ‘A është gati qeveria të lëshojë dhe të transferojë pushtet?’ Nuk mora asnjëherë një përgjigje të qartë se deri ku do të shkojë qeveria me dy parime kushtetuese të këtij pushteti: decentralizimin dhe autonominë financiare. Po e rikujtoj: për këtë, jo për njoftimin e hartës apo votës sime, na kanë votuar.

A besoj unë tek kjo? Po. A besoj se do të ndodhë? Deri diku po, por jo plotësisht.

Edi Rama e ka të lehtë të njoftojë rrugën time ose, siç thonë disa rreth tij, se çfarë më pret. Por unë mendoj se e ka të vështirë të lëshojë pushtet. Ai është i dashuruar me pushtetin, fuqinë dhe autoritetin që ai jep. Shpesh e ka përdorur për mirë, duke sjellë ndryshime të mëdha në këtë vend; ua ka deleguar edhe të tjerëve për mirë, por pushteti është shpërdoruar në mënyrë të përsëritur nga ministra e drejtorë të padenjë. Ka bërë gabime, disa të rënda, që duhet t’i pranojë si të tijat dhe jo vetëm si gabime të atyre që nuk kanë qenë të denjë përkrah tij, në rrugën e tij.

Duhet të marrë dhe të mbajë përgjegjësi. Duhet të japë një shenjë se pushtetin nuk e ka personal dhe nuk e ushtron si të tijin, por e ndan, siç e përcakton Kushtetuta, me pushtetet e tjera të ligjshme, sovrane e të pavarura, të cilat duhet të jenë funksionale deri në fund dhe të pacenuara, jo të kufizuara si vullnet disiplinues i mazhorancës e të zbehura në njoftime, qoftë edhe për hartën.

Unë qëndrova për këtë, për punën që jam votuar të bëj, asgjë tjetër!

E bëra edhe për disa kolegë të mirë, të cilët, megjithëse të rinj në Kuvend, treguan nder, dinjitet, njerëzillëk dhe dije. Me ta ndava gjithë të enjten dhe orët e para të së premtes. Ju jam mirënjohës.

Shpresoj të keni durimin të shihni, dëgjoni e lexoni përtej 25 sekondave. Ato mjaftojnë për të sharë, por jo për të ditur e kuptuar.

Besoj se e shpjegova dhe dhashë llogari për votën time.”

 

Advertisement