✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Telefonata që vuri në lëvizje Policinë/ Inez Hajrulla i zhdukur apo e inskenoi?

Një ditë para se të publikohej lajmi se i shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare, Inez Hajrulla, mund të ishte marrë peng, Policia kishte marrë një informacion për vendndodhjen e tij të mundshme.

Telefonuesi pretendonte se Hajrulla ndodhej në një nga dhomat e një hoteli në Vaqarr, në shoqërinë e një vajze. Shërbimet e Komisariatit nr. 6, së bashku me shërbime mbështetëse, shkuan në hotel për të kryer verifikimet e para. Nga kontrolli rezultoi se Hajrulla nuk ndodhej aty në atë moment.

Policia po verifikon nëse Hajrulla mund të jetë njoftuar për mbërritjen e shërbimeve. Ndërkohë, janë marrë pamjet e kamerave të hotelit dhe janë pyetur klientë e punonjës për të përcaktuar nëse e kanë parë personin e njohur me nofkën “El Padrino” i Vlorës.

Të nesërmen, në media u publikua lajmi se Hajrulla ishte marrë peng.

Sipas burimeve të ZËRI-t, Policia po verifikon dy pista: mundësinë që ngjarja të jetë inskenuar, si edhe mundësinë që Hajrulla të jetë zhdukur nga kundërshtarët e tij. Babai i tij, Robert Hajrulla, nuk ka bërë ende kallëzim për zhdukjen, por ka konfirmuar se nuk ka pasur kontakt me të birin prej dy ditësh.

A ishte largimi nga hoteli një rastësi, apo lidhet me ngjarjen e raportuar më pas? A mund të jetë inskenuar zhdukja, apo Hajrulla është marrë nga kundërshtarët e tij? Këto janë disa nga çështjet që

Policia po verifikon.

Hetimet vijojnë për të zbardhur se çfarë ka ndodhur me Inez Hajrullën, i cili kërkohet nga drejtësia shqiptare dhe akuzohet për përfshirje në disa ngjarje kriminale.

Advertisement