✦
Thinking ...
Connect with us

Pinknews

“U trajtova si limon i shtrydhur…”/ Maestro refuzon ftesën për emisionin “Live me Luizin”?

Tenori Armaldo Kllogjeri, i njohur për publikun si Maestro, ka bërë një reagim të gjatë në rrjetet sociale, ku ka zbuluar se ka marrë një ftesë për të qenë pjesë e një spektakli televiziv, por ka lënë të kuptohet se nuk ka pranuar.

Ish-banori i “Big Brother VIP Albania 2” nuk ka përmendur emra apo titullin e emisionit, megjithatë fakti që ftesa ishte për mbrëmjen e së premtes ka ngritur dyshime se mund të bëhet fjalë për “Live me Luizin”, programin e ri të Luiz Ejllit në Top Channel.

“Mora një FTESË këto ditë për të bërë show sonte mbrëma në televizionin më të rëndësishëm në vend”, shkruan Maestro në Instagram, duke iu referuar Top-Channel.

Më tej, ai rikthehet te eksperienca e tij televizive, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar pas angazhimit në spektakël.

“Unë e bëra dikur show-n tim në atë ekran me shpirt, me pastërti, me dëshirën për të krijuar ‘situata’ që publiku të argëtohej. U mundova të përcillja mesazhe jetësore, e trajtova atë show si një spektakël. Nuk u vlerësova sa duhej!”, shprehet ai.

Pjesa më e fortë e reagimit lidhet me pretendimin e tij se është larguar padrejtësisht dhe se pasojat e asaj periudhe vazhdon t’i ndiejë edhe sot.

“U nxora nga loja në mënyrën më të ulët dhe u hodha në rrugë si një ‘limon i shtrydhur’! Pësova dëme të parregullueshme, të cilat rëndojnë edhe sot mbi shpinën time (jo për fajin tim). Besimi i tepërt më çoi të bridhja gjyqeve dhe askujt nuk i interesoi për mua, as miqve më të ngushtë”, shkruan tenori.

Maestro thekson se tashmë ka ndryshuar mënyrën se si i sheh angazhimet televizive dhe se respekti për veten është bërë përparësia e tij.

“Dje e shihja jetën me sy tjetër, por sot mbi të gjitha për mua ka rëndësi RESPEKTI PËR VETEN!”, vijon ai.

Në përfundim, tenori shpjegon se edhe situata aktuale në vend ndikon në vendimin e tij për të mos marrë pjesë në një spektakël argëtues.

“Gjërat dalin bukur kur bëhen me vërtetësi dhe sot, në gjendjen ku ndodhet Shqipëria, mua s’më qesh buza për të bërë show”, përfundon Kllogjeri.

Reagimi ka rikthyer në vëmendje marrëdhënien e tij me Luiz Ejllin, me të cilin pati miqësi, por edhe përplasje gjatë qëndrimit në “Big Brother VIP”.

Megjithatë, Maestro nuk ka konfirmuar se ftesa ka ardhur nga emisioni i Luizit, ndaj mbetet e paqartë nëse deklarata e tij lidhet me këtë program apo me një tjetër projekt televiziv.

Advertisement