✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

I zhdukur pas sulmit në Detin e Zi, familja e Erkan Nikës kërkon ndihmë nga shteti shqiptar

Familja e Erkan Nikës, 28-vjeçarit shqiptar që punonte si inxhinier i dytë në anijen turke të mallrave “Aroyat”, u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të përfshihen në përpjekjet për gjetjen e tij. Anija u sulmua me dronë në Detin e Zi, pranë portit të Novorossiyskut.

Babai i të riut, Rexh Nika, kërkoi që autoritetet dhe institucionet shëndetësore në zonën përreth Detit të Zi të kontrollojnë regjistrat për persona të plagosur apo të paidentifikuar. Ai foli për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha.

“U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve, institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat për pacientë të paidentifikuar, persona të plagosur ose individë të gjetur në zonat bregdetare të Detit të Zi. Kërkojmë ndihmë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë”, u shpreh Rexh Nika.

Familja Nika jeton në Turqi që prej vitit 1997. Sipas të atit, Erkani punonte prej vitesh në anijen “Aroyat”, e cila ishte nisur nga porti i Durrësit. Në bord ndodheshin 16 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa Erkani rezulton i zhdukur.

Rexh Nika tregoi se mesazhin e fundit nga i biri e kishte marrë më 24 shtator, pasi i kishte shkruar një mbrëmje më parë.

“Mesazhin e fundit me djalin e kam pasur të mërkurën, më 23 shtator. Në darkë, para se të flija, i dërgova një mesazh, një lutje. Ai m’u përgjigj të nesërmen, në orën 08:39: ‘Jemi në Detin e Zi’”, tha babai i tij.

Sulmi me dronë ndodhi më 27 shtator. Sipas të dhënave të bëra publike, 15 anëtarë të ekuipazhit arritën të shpëtonin, ndërsa Erkan Nika nuk figuron mes tyre. Familja vijon të kërkojë ndihmë për të përcaktuar vendndodhjen e tij.

Advertisement