Kronike
Përplasje e fortë në aksin Levan–Tepelenë, dy drejtues dërgohen në spital
Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në autostradën Levan–Tepelenë, në vendin e quajtur Fratar. Sipas të dhënave paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën.
Përplasja ka qenë e fortë dhe si pasojë janë lënduar të dy drejtuesit e mjeteve. Pas marrjes së ndihmës së parë në vendngjarje, ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin trajtim mjekësor. Ende nuk ka informacion të mëtejshëm për gjendjen e tyre shëndetësore.
Në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Autoritetet po kryejnë veprimet e nevojshme për të dokumentuar ngjarjen dhe për të përcaktuar se si ndodhi përplasja.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se shpejtësia dhe lagështira në rrugë mund të kenë ndikuar në aksident. Megjithatë, këto janë pista që po verifikohen dhe shkaku i saktë do të përcaktohet pas përfundimit të hetimeve.