✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Videot intime në platformat digjitale/ AMA: TikTok hoqi 45 lidhje me video intime pas ankesave

Persona të prekur nga publikimi i videove intime në internet kanë paraqitur ankesa pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), duke kërkuar heqjen e materialeve nga platformat digjitale.

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, tha se institucioni mori një numër të madh ankesash pas një apeli publik në emisionin “Tech Talk” të Top Channel. Sipas saj, ankesat janë paraqitur nga qytetarë, artistë të prekur dhe organizata të shoqërisë civile.

“Pas apelit publik që u bë nga emisioni ‘Tech Talk’, patëm fluks ankesash, të cilat vinin nga qytetarë, artistë të prekur dhe shoqëria civile, përfshirë disa organizata”, u shpreh Krasniqi.

Sipas të dhënave të bëra publike nga AMA, nga shkurti deri në fillim të tetorit 2026, institucioni ka administruar 326 ankesa. Nga këto, 140 janë vlerësuar si shkelje dhe platformat kanë hequr 112 materiale.

Vetëm gjatë javës së fundit, AMA ka shqyrtuar 54 ankesa lidhur me rastin në fjalë. Krasniqi tha se të gjitha janë vlerësuar si shkelje të legjislacionit dhe Kodit të Transmetimit. Për heqjen e materialeve nga TikTok-u, institucioni iu drejtua platformës dhe, sipas saj, deri në momentin e deklaratës janë bllokuar 45 lidhje, ndërsa nëntë të tjera vijojnë të jenë në shqyrtim.

“Nëse nga shkurti deri në fillim të tetorit kemi administruar në institucion 326 ankesa, nga të cilat 140 janë gjetur në shkelje dhe platforma ka hequr 112, për rastin në fjalë vetëm gjatë kësaj jave janë përpunuar 54 ankesa, të gjitha në shkelje të legjislacionit dhe Kodit të Transmetimit. Për këtë arsye i jemi drejtuar TikTok-ut, i cili ka hequr deri në momentin që flasim 45 të tilla, ndërsa nëntë të tjera janë ende në shqyrtim”, tha Krasniqi.

AMA pranon se ka kufizime ligjore në monitorimin e platformave digjitale. Megjithatë, sipas Krasniqit, institucioni ka nisur bashkëpunim vullnetar me TikTok-un për të kërkuar heqjen e materialeve që cenojnë privatësinë ose lidhen me bullizmin dhe fenomene të tjera sociale.

Institucioni u bën thirrje personave të prekur që të paraqesin ankesa përmes faqes zyrtare ama.gov.al.

Advertisement