Kush ishin “Neronët” e Tiranës?
Më 18 korrik të vitit 64 pas Krishtit, Neroni dogji Romën antike në lulëzim. “Neronët” e Tiranës ishin adoleshentë 16-17 vjeç, ose të rinj të ardhur nga periferitë e kryeqytetit apo nga rrethet e tjera, të pajisur me dy celularë, një të vetin dhe një tjetër me numër të panjohur, me të cilin dëgjonin udhëzimet e dikujt në telefon. Këtë e panë nga ballkonet e shtëpive qytetarët e Tiranes, tek këta të rinj shkatërronin semaforët, digjnin kazanët e hedhurinave dhe dhunonin, disa prej tyre, edhe dyqznet private rrugës.
Këta “Neronë” e shndërruan zemërimin politik në dhunë, shkatërrim dhe terror ndaj qytetarëve të kryeqytetit dhe mbarë Shqipërisë.
Policia dhe organet e tjera ligjzbatuese kanë punë, për të përcaktuar se kush ishin përgjegjësit e ngjarjeve të 14 tetorit, duke identifikuar personat që kryen veprime konkrete, organizatorët e mundshëm, nxitësit dhe çdo përgjegjësi institucionale që mund të provohet.
Dënimi i dhunës duhet të shoqërohet me kërkesën për të vërtetën. Përgjegjësia nuk mund të përcaktohet vetëm nga bindjet politike, veshja, prania në protestë apo përkatësia partiake.
Cilët qëndronin nga ana tjetër e telefonave të dytë të adoleshentëve shkatërrues dhe djegës?
Për të kuptuar përgjegjësitë, duhen dalluar të paktën pesë kategori:
Së pari, personat që kryen drejtpërdrejt akte dhune. Këta janë individët që kanë thyer xhama, semaforë, djegur objekte, dëmtuar prona publike ose private, ushtruar dhunë apo rrezikuar jetën e të tjerëve. Veprimet e tyre duhet të dokumentohen dhe të hetohen individualisht.
Së dyti, organizatorët e veprimeve të dhunshme. Duhet të sqarohet nëse dhuna ishte pasojë e veprimeve të pakontrolluara të individëve, apo nëse ka pasur planifikim, koordinim ose urdhërime. Kjo kërkon prova konkrete, pavarësisht se qytetarët e Tiranës e kanë të qartë se cilët qëndronin nga ana tjetër e telefonave të dytë të adoleshentëve shkatërrues dhe djegës.
Së treti, personat që mund të kenë nxitur dhunën. Fjalimet, mesazhet publike dhe komunikimet private duhet të shqyrtohen nga organet hetimore, kur ka indicie për vepra penale. Duhen identifikuar të gjithë nxitësit e dhunës së 14 tetorit.
Së katërti, personat që shfrytëzuan kaosin për të kryer akte të tjera të paligjshme. Në situata të tensionuara, përgjegjësia duhet të individualizohet për çdo veprim të provuar, pa e ngarkuar të gjithë turmën me fajin e individëve.
Së pesti, përgjegjësitë e mundshme institucionale. Duhet të shqyrtohet nëse institucionet kishin marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve, parandalimin e përshkallëzimit dhe reagimin proporcional ndaj dhunës. Edhe këtu, përgjegjësia duhet të mbështetet në fakte dhe në ligj.
Protesta qytetare nuk është e njëjta gjë me dhunën
Një demokraci nuk mund të funksionojë pa protesta. Qytetarët kanë të drejtë të kundërshtojnë qeverinë, të kërkojnë dorëheqje, të denoncojnë korrupsionin dhe të kërkojnë zgjedhje të lira. Këto të drejta janë pjesë e lirisë politike dhe nuk mund të mohohen vetëm sepse protesta krijon shqetësim për pushtetin.
Por e drejta për të protestuar nuk përfshin të drejtën për të djegur, shkatërruar, sulmuar apo kërcënuar të tjerët. Këtu qëndron dallimi themelor. Protestuesi paqësor shpreh kundërshtimin e tij dhe kërkon ndryshim politik. Autori i dhunës përgjigjet për veprimin e vet, pavarësisht bindjeve politike.
Organizatori i një proteste nuk mund të shpallet automatikisht fajtor për çdo veprim të një pjesëmarrësi, por duhet të hetohet nëse ka prova për përfshirje konkrete. Shteti duhet të garantojë njëkohësisht të drejtën e protestës, sigurinë publike dhe respektimin e ligjit.
Asnjëra prej këtyre përgjegjësive nuk duhet të përdoret për të fshehur tjetrën. Dhuna e disa individëve nuk e zhvlerëson automatikisht çdo kërkesë politike të protestuesve paqësorë. Po kështu, një kauzë politike, sado e rëndësishme të pretendohet, nuk e justifikon dhunën.
Rreziku më i madh: normalizimi i dhunës
Qytetarët jo vetëm të Tiranës pyesin me shqetësim: “Ç’do të ndodhë sot?”. Një nga pasojat më të rënda të episodeve të dhunshme nuk është vetëm dëmi material, por mundësia që shoqëria jonë të mësohet me to.
Kur shkatërrimi justifikohet sepse kryhet nga “tanët”, ndërsa dënohet vetëm kur kryhet nga “kundërshtarët”, standardi demokratik dobësohet. Kur sulmi ndaj një institucioni shihet si heroizëm politik (luanët!), ndërsa sulmi ndaj një institucioni tjetër si krim, ligji zëvendësohet nga logjika e përkatësisë.
Një shoqëri demokratike nuk mund të funksionojë me dy standarde. Dhuna duhet dënuar njësoj, pavarësisht nëse autori mbështet qeverinë, opozitën apo nuk përfaqëson asnjërën.
Po kështu, përgjegjësia penale duhet të përcaktohet nga provat dhe procedurat ligjore, jo nga presioni publik, dëshira për hakmarrje apo nevoja e një pale politike për të fituar pikë.
Tirana dhe Shqipëria nuk kanë nevojë për heronj të dhunës, për zjarrvënës politikë apo për propagandë që e thellon përçarjen. Ajo ka nevojë për siguri, drejtësi, institucione të besueshme dhe një kulturë politike ku kundërshtimi shprehet me fjalë, argumente, votë dhe protesta paqësore.
