Aktualitet
Goditja e bizneseve të vogla/ Eksperti i ekonomise jep “zgjidhjen” për studentët
Ndërsa protestat vijojnë në Tiranë, pasojat e akteve të dhunës po ndihen edhe te bizneset e vogla, të cilat janë përballur me xhama të thyer, fasada të dëmtuara dhe, në disa raste, me zjarrvënie. Për pronarët, dëmet nuk përkthehen vetëm në humbje materiale, por edhe në ndërprerje të aktivitetit dhe pasiguri për të ardhmen e bizneseve të ngritura me vite punë.
Përballë kësaj situate, disa tregtarë kanë ulur qepenat, ndërsa të tjerë kanë vendosur në dyqanet e tyre mesazhe ku shprehin mbështetje për protestën, por kërkojnë që pronat e tyre të mos preken.
Në disa prej tyre lexohet apeli: “Jemi me ju, ju lutem mos na dëmtoni!”.
Edhe mes studentëve ka zëra që bëjnë dallimin mes mbështetjes për protestën dhe kundërshtimit të dhunës. Një student, i cili punon dhe ndjek vitin e dytë të masterit në Financë, shprehet se dëmtimi i bizneseve nuk është mënyra e duhur për të shprehur pakënaqësinë.
“Unë e dua protestën, por jo dhunën. Ja, shiko, dera nuk hapet. Unë punoj dhe studioj në vitin e dytë të masterit për Financë. Vij nga Rrogozhina, por të thyesh një biznes nuk është aspak gjë e mirë”, thotë ai.
Pasiguria ka detyruar edhe Irena Muratajn, pronare e një optike, të marrë masa për të mbrojtur aktivitetin e saj. Pas 27 vitesh punë, frika nga dëmtimet e mundshme e ka shtyrë të boshatisë raftet e dyqanit. Prej dy ditësh, ajo u ka refuzuar shërbimin klientëve dhe shkon çdo ditë në ambientet e biznesit për ta ruajtur atë.
Shqetësimin për pasojat ekonomike të dhunës e ndan edhe eksperti i ekonomisë Arben Malaj. Ai shprehet se i mbështet protestat, por kundërshton çdo cenim të pronës private, duke argumentuar se dëmtimet sjellin kosto të shumëfishta për sipërmarrësit dhe ekonominë.
“Sigurisht që protestat i mbështes, por që në fillim kam theksuar që nuk duhet të ketë asnjë cenim ndaj biznesit privat. Paguan tre kosto. Një që i bie aktiviteti. Dy që dëmtohet. Dhe tre që të gjitha këto dëmtime do të kenë si burim financimi taksat, asnjë tjetër”, deklaron Malaj.
Përveç bankave, ndër bizneset e prekura janë edhe kioskat dhe dyqanet e vogla. Disa prej tyre kanë vendosur mbishkrime përmes të cilave shprehin solidaritet me protestuesit, por kërkojnë që revolta të mos shoqërohet me shkatërrime.
Malaj thekson se ndryshimet politike duhet të kërkohen përmes protestave paqësore dhe pa dëmtuar institucionet apo aktivitetin ekonomik. Sipas tij, cenimi i bizneseve rrezikon të shtojë kostot për qytetarët dhe të largojë mbështetjen e një pjese të shoqërisë nga kauza e protestuesve.
Në këtë situatë, mbrojtja e pronës private dhe e drejta për të protestuar mbeten dy çështje që kërkojnë vëmendje. Përtej kërkesave politike, dëmtimi i një biznesi të vogël prek drejtpërdrejt njerëzit që varen prej tij për të siguruar të ardhurat dhe për të përballuar shpenzimet e përditshme.