Politike
Tentuan t’i thyenin këmbën studentit/ Ministri i Brendshëm ‘dënon’ efektivët e policisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas publikimit të pamjeve që tregojnë raste të dyshuara të tejkalimit të kompetencave nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë protestave të ditëve të fundit. Ai bëri të ditur se ka kërkuar verifikimin e rasteve dhe marrjen e masave përkatëse, ndërsa falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për pezullimin e dy punonjësve të përfshirë.
Në reagimin e tij, Demo tha se policia është përballur prej tri ditësh me një situatë të vështirë, duke akuzuar forca politike për nxitjen e akteve të dhunës ndaj efektivëve, institucioneve, bizneseve dhe pronës private. Ministri pretendoi se në këto akte janë përfshirë edhe të mitur, të cilët, sipas tij, janë nxitur drejt sjelljeve të dhunshme.
Demo theksoi se gjatë gjithë kësaj periudhe ka kërkuar që ndërhyrjet e policisë të jenë proporcionale dhe në përputhje me ligjin. Ai u shpreh se çdo rast i shkeljes së ligjit duhet të hetohet dhe të ndëshkohet, pavarësisht nëse bëhet fjalë për protestues apo punonjës të Policisë së Shtetit.
Reagimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo:
Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme.
Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë.
Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.
Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit.
Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin.
Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!
Edhe njëherë, dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe siguria dhe rendi publik do të garantohen!