✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Kërcënime terroriste ndaj institucioneve shqiptare, Policia zbulon origjinën e email-ve

Një email me kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e sulmeve terroriste është dërguar në disa institucione shtetërore në Shqipëri, përfshirë prokurori, gjykata dhe Kryesinë e Kuvendit. Në mesazhin kërcënues pretendohet se në një ndërtesë është vendosur një mjet shpërthyes me nitrat amoni, ndërsa paralajmërohen edhe sulme të tjera në territorin e vendit.

Në përmbajtjen e emailit përmendet gjithashtu vendosja e Sheriatit, ndërsa kërcënimet shoqërohen me referenca fetare. Megjithatë, autenticiteti i mesazhit dhe vërtetësia e pretendimeve të tij nuk janë konfirmuar nga autoritetet.

Në një reagim për mediat, Policia e Shtetit bëri me dije se, nga verifikimet paraprake, emaili rezulton të jetë dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.

Sipas policisë, mënyra e dërgimit të mesazhit ngjason me raste të mëparshme, kur kërcënime të ngjashme janë përcjellë përmes adresave elektronike të komprometuara, të cilat u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.

Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij.

Advertisement