✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

NE EUROPE SHKOHET ME TREN, MAKINE DHE AVION, POR JO ME KARROCEN E DYLIT

Malazezët po mbyllin kapitujt me Europën. Ne nuk po mbyllim dot kapitullin Rama-Berisha…

Nuk është aspak e rastit që Mali i Zi po i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa Shqipëria vazhdon të numërojë batutat bajate të Edi Ramës.

Milojko Spajiç, kryeministri që priti sot Ramën në Mal të Zi, është 39 vjeç. Po kaq është edhe Danijel Zhivkoviç, kryetari i opozitës kryesore malazeze. Edi Rama është 62 vjeç, Sali Berisha 82. Spajiçi ka moshën e djalit të madh të Ramës dhe mund të ishte nip i Berishës.

Kur Spajiçi lindi, Berisha ishte 43 vjeç. Sot, pothuajse katër dekada më vonë, Berisha vazhdon të kërkojë pushtetin, ndërsa Rama vazhdon të premtojë të ardhmen. Njëri kërkon të kthehet, tjetri nuk pranon të largohet. Të dy kanë një të përbashkët: Nuk e mendojnë dot Shqipërinë pa vetëveten.

E kishte edhe Mali i Zi një politikan të pazëvendësueshëm, Milo Gjukanoviçin. Pas tri dekadash dominimi politik, e nxorën në pension. Nuk u shemb dynjaja, nuk u përmbys bota dhe, çuditërisht, Europa vazhdoi të ekzistonte edhe pa të. Madje, Mali i Zi vazhdoi të mbyllte kapitujt e negociatave.

Kjo është arsyeja pse qarkullimi i elitave ka rëndësi për demokracinë. Ndryshimi i drejtuesve nuk garanton qeverisje të mirë, por krijon mundësinë që qytetarët të provojnë alternativa, që partitë të ndryshojnë dhe që institucionet të mos identifikohen me një njeri.

Sot Mali i Zi ka hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 21. Shqipëria ka mbyllur vetëm 4. Fqinjët tanë i nisën negociatat dhjetë vjet përpara nesh, ndaj diferenca nuk shpjegohet vetëm me politikën e sotme. Megjithatë, ata provuan diçka që shqiptarëve vazhdojnë t’ua paraqesin si rrezik kombëtar: ndërruan qeveritë, presidentin dhe drejtuesit e partive, pa e ndërprerë rrugën europiane.

Ironia është se Rama na premton Shqipërinë europiane të vitit 2030, ndërsa Berisha na premton rikthimin e lavdishëm të së shkuarës. Njëri shet të ardhmen, tjetri të kaluarën. Malli është i njëjtë: UNI.

Në Mal të Zi, brezi i vitit 1987 drejton qeverinë dhe opozitën. Në Shqipëri, protagonistët e vitit 1991 vazhdojnë të aktrojnë.

Malazezët po mbyllin kapitujt me Europën. Ne nuk po mbyllim dot kapitullin Rama-Berisha.

Sepse në Europë mund të shkosh me tren, avion apo edhe me makinë. Po me karrocën e Dylit, jo./Pamfleti

Advertisement