Bota
Paralajmërohen protesta të dhunshme në fundjavë, Italia rrit gatishmërinë
Italia po përgatitet për një fundjavë të tensionuar, me protesta të planifikuara në disa qytete dhe masa të shtuara sigurie pas përplasjeve të dhunshme të javës së kaluar. Vëmendja e autoriteteve është përqendruar veçanërisht në Milano, Torino, Romë dhe zonën e Kazertës, ndërsa kontrolle dhe monitorime po zhvillohen edhe në qytete të tjera.
Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, policia po shqyrton mundësinë që në Romë të organizohen grumbullime të rreme në disa sheshe, me synimin e mundshëm për të shpërndarë forcat e rendit në pika të ndryshme të kryeqytetit. Shqetësimet lidhen me protestat e planifikuara për të shtunën, 24 tetor, dhe të dielën, 25 tetor, përfshirë marshime kundër militarizimit dhe NATO-s.
Në Torino pritet të marrin pjesë mijëra të rinj në një marshim kundër riarmatimit, ku është përfshirë edhe qendra sociale Askatasuna. Ndërsa në Castel Volturno, në zonën e Kazertës, është njoftuar një protestë përpara një qendre ku mbahen emigrantë në pritje të riatdhesimit. Në tubim pritet të marrin pjesë përfaqësues të sindikatave dhe organizatave të shoqërisë civile.
Një tjetër shqetësim për autoritetet lidhet me udhëzues që po qarkullojnë në rrjetet sociale. Sipas raportimeve të Corriere della Sera, një grup i quajtur “Lëvizja 17 Tetori” ka publikuar në Telegram një dokument të titulluar “Udhëzues taktik kolektiv”, ku përshkruhen mënyra organizimi të protestuesve dhe veprime të mundshme gjatë përballjeve me policinë. Në dokument përmenden pajisje mbrojtëse, organizimi në grupe dhe mënyra e lëvizjes së turmës drejt forcave të sigurisë.
Në Instagram është shpërndarë edhe një dokument tjetër, me titull “Revolucioni, udhëzime për përdorim”, ku përshkruhen disa faza të mobilizimit dhe këshilla për sjelljen e protestuesve në rast përplasjesh. Sipas gazetës italiane, gjuha dhe mënyra e organizimit ngjajnë me materiale të përdorura nga grupe anarkiste dhe lëvizje radikale, por nuk është konfirmuar nëse autorët janë të njëjtët persona që kanë shpërndarë dokumente të ngjashme në të kaluarën.
Paralelisht me përgatitjet për fundjavën, policia italiane dhe Digos, struktura e specializuar për hetimet në fushën e sigurisë, kanë zhvilluar kontrolle ndaj rreth 100 personave në 18 qytete, në kuadër të hetimeve për trazirat e 17 dhe 18 tetorit. Mes personave të kontrolluar janë 51 të mitur. Hetimet lidhen, sipas rasteve, me dyshime për kundërshtim të punonjësve të policisë, plagosje, dëmtim prone, mbajtje sendesh të rrezikshme dhe fshehje të identitetit.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar telefona, kompjuterë dhe pajisje elektronike, si dhe sende të ndryshme që autoritetet i konsiderojnë të lidhura me veprimtari të paligjshme. Mes tyre përmenden thika, shkopinj metalikë, doreza metalike për goditje, një hark mekanik dhe bidonë me benzinë. Policia po vazhdon hetimet për të identifikuar persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në incidentet e fundit.
Situata ka hapur edhe një debat politik mbi mënyrën se si qeveria duhet të përballet me dhunën e të rinjve dhe protestat. Ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, ka kërkuar zgjerimin e kapaciteteve të burgjeve për të mitur, duke argumentuar se sistemi po përballet me vështirësi dhe me një numër të lartë arrestimesh.
“Ka momente kur, për fat të keq, është e nevojshme t’i dërgosh pas hekurave këta të mitur të dhunshëm”, deklaroi Nordio në një intervistë për SkyTg24.
Deklarata është kundërshtuar nga disa përfaqësues të opozitës. Kreu i Lëvizjes Pesë Yjet, Giuseppe Conte, kërkoi largimin e ministrit nga detyra, ndërsa përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtës e akuzuan atë se po e trajton çështjen kryesisht përmes masave ndëshkuese.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka sqaruar se nuk ka kërkuar kompetenca të veçanta për ushtarët e angazhuar në Milano, por që ata të kenë të njëjtat mundësi vetëmbrojtjeje si forcat e tjera të rendit.
Me masa të shtuara sigurie, kontrolle në disa qytete dhe protesta të paralajmëruara kundër militarizimit e politikave të qeverisë, autoritetet italiane po përgatiten për një fundjavë ku sfida kryesore do të jetë garantimi i rendit publik, pa cenuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.