✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Këlliçi në krah të studentëve: Largimi i Ramës, qeveri teknike dhe zgjedhje

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se opozita mbështet protestën studentore dhe kërkesat e të rinjve, gjatë tubimit të thirrur nga PD para Kryeministrisë. Sipas tij, qytetarët duhet t’u bashkohen studentëve, ndërsa kauzat e protestës lidhen me largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Këlliçi e cilësoi të pafalshme mungesën e mbështetjes për studentët, duke theksuar se opozita e sheh lëvizjen e tyre si pjesë të kërkesave për ndryshim politik në vend.

Gjatë deklaratës, ai u ndal edhe te përplasja mes kryeministrit Rama dhe studentit Jon Sinoimeri. Këlliçi akuzoi kreun e qeverisë se po përdor deklaratat publike për të frikësuar dhe intimiduar të rinjtë që marrin pjesë në protestë.

“Dje studenti Jon Sinoimeri u akuzua publikisht nga Rama si një person i dënuar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Si në rastin e Jon Sinoimerit, Edi Rama i bën këto deklarata për të intimiduar studentët”, u shpreh Këlliçi, duke ia atribuar kryeministrit synimin për të ushtruar presion ndaj protestuesve.

Nënkryetari i PD-së hodhi poshtë gjithashtu lidhjen e protestës me lëvizjen ANTIFA, duke deklaruar se tubimi nuk ka të bëjë me këtë organizim apo me kauza të tjera jashtë kërkesave të studentëve.

“Jemi në mbështetje të lëvizjes studentore. Është e pafalshme për çdo njeri që të mos u vijë në ndihmë studentëve”, përfundoi Këlliçi

Advertisement