Kosova
65-vjeçar dyshohet për vrasjen e djalit të tij dhe foshnjës, viktima me histori kriminale
Një ngjarje e rëndë në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën të pajetë një 27-vjeçar dhe një foshnjë vetëm tre muajshe, po hetohet si vrasje e rëndë. Ndërsa policia ka arrestuar babanë 65-vjeçar të të riut, detaje të reja po dalin në dritë lidhur me të kaluarën e viktimës.
Sipas informacioneve të siguruara, 27-vjeçari kishte pasur më parë probleme me drejtësinë. Në muajin qershor të këtij viti, ai ishte dënuar me gjashtë muaj burg për kanosje ndaj të fejuarës, por dënimi ishte zëvendësuar me një gjobë prej 1,800 eurosh. Gjithashtu, ndaj tij ishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje me afat 12-mujor në favor të së fejuarës.
I riu kishte qëndruar për rreth dy muaj në paraburgim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, me rekomandimin e një eksperti psikiatër, për shkak të dyshimeve se kishte përdorur lëndë narkotike.
Ndërkohë, policia ka arrestuar babanë 65-vjeçar të viktimës, i cili dyshohet për përfshirje në vdekjen e djalit dhe foshnjës. Ai është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa sipas raportimeve ka zgjedhur të mos japë deklarime para hetuesve.
Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekspertizë. Hetuesit po punojnë për të zbardhur dinamikën, motivin dhe përgjegjësitë për këtë ngjarje të rëndë.