✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Xhafaj kritikon Kadastrën: Dokumentet turke 100-vjeçare më të rregullta se tonat!

Problematikat e Kadastrës, ankesat e qytetarëve dhe dyshimet për korrupsion u bënë pjesë e debatit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, ngriti shqetësime për cilësinë e shërbimeve, problematikat e dixhitalizimit dhe integritetin e punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Gjatë diskutimit, Xhafaj krahasoi sistemin shqiptar me atë turk, duke sjellë si shembull dokumentacionin e kadastrës turke të një shekulli më parë. Sipas tij, edhe pse ishte hartuar pa teknologjinë dhe inteligjencën artificiale të sotme, dokumentacioni ishte shumë më i rregullt.

“Kadastra e tyre ishte si bukurshkrim, edhe pa pasur nevojë ta dixhitalizoje”, u shpreh Xhafaj, duke theksuar se problemet aktuale të institucionit lidhen me proceset ligjore, menaxhimin, burimet njerëzore dhe mënyrën e administrimit të të dhënave të pronës.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij ishte integriteti i punonjësve. Xhafaj kërkoi sqarime se çfarë masash merren ndaj punonjësve të Kadastrës që kanë vendime gjyqësore për shkelje apo zbatim të gabuar të ligjit, duke kërkuar forcimin e kontrollit të brendshëm dhe mekanizmave të përgjegjshmërisë.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, pranoi se korrupsioni mbetet një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve. Ajo bëri të ditur se gjatë dy viteve të fundit janë dhënë 207 masa disiplinore, ndërsa nga viti 2024 deri në tetor 2026 janë bërë 11 referime në Prokurori, kundrejt 5 kallëzimeve penale në periudhën 2019–2023.

Goxhobelli theksoi se lufta ndaj korrupsionit kërkon procedura të qarta, transparencë, dixhitalizim dhe automatizim të shërbimeve kadastrale.

Advertisement