Politike
Në rrjet u aludua se e kërcënoi/ Ministri Toni Gogu pranon takimin me Veliajn: Dua të jem i qartë…
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka konfirmuar se ka takuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit, por ka mohuar pretendimet se gjatë këtij takimi i ka kërkuar të lërë mandatin me porosi të kryeministrit Edi Rama.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gogu sqaroi se vizita është zhvilluar të premten dhe se biseda është përqendruar te kushtet e trajtimit të Veliajt, transferimi i tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit dhe ankesat e ngritura publikisht nga avokati i tij.
Ministri theksoi se takimi është zhvilluar në kuadër të përgjegjësive të tij institucionale, ndërsa pranoi se me Veliajn e lidh një miqësi e hershme. Ai i cilësoi si të pavërteta aludimet për mesazhin politik që pretendohet se i ka përcjellë kryebashkiakut, duke mohuar kategorikisht se ka diskutuar për dorëzimin e mandatit.
Gogu u shpreh gjithashtu se rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme. Reagimi i tij vjen pas raportimeve që ngritën pikëpyetje mbi arsyen e takimit dhe nëse pas tij fshihej një kërkesë politike ndaj Veliajt.
“Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier. Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë. Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni. Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.
Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme. Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore”, shkruan ministri.