Politike
Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i BE-së, por Shqipëria ende në pritje?
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka prezantuar në Parlamentin Evropian raportin e zgjerimit për vitin 2026, ku ka vlerësuar ecurinë e vendeve kandidate drejt anëtarësimit në BE. Në fokus të deklaratës së saj ishte Mali i Zi, të cilin e cilësoi si vendin më të avancuar në proces, me mundësinë për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028.
Sipas Kos, Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave. Deri tani janë mbyllur 21 kapituj, ndërsa 14 të tjerë mbeten për t’u përfunduar. Komisionerja tha se puna për Traktatin e Anëtarësimit ka nisur tashmë dhe se, sipas udhërrëfyesit, nënshkrimi i tij mund të bëhet më së hershmi më 28 qershor. Ajo u shpreh se për herë të parë që nga përfundimi i negociatave me Kroacinë, në vitin 2011, BE-ja ka mundësinë të përmbyllë me sukses negociatat me një vend kandidat.
Për Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, Kos tha se udhërrëfyesit e përcaktuar paraqesin perspektivën e procesit për vitin e ardhshëm. Ajo theksoi se përparimi drejt anëtarësimit varet nga vullneti dhe zgjedhjet politike të secilit vend kandidat, duke nënvizuar se të gjitha vendet kanë mundësi të përshpejtojnë procesin përmes përmbushjes së reformave.
Një tjetër risi e prezantuar në raport është modeli i integrimit gradual. Komisioni Evropian synon që vendet kandidate të përfitojnë nga një integrim më i thellë në strukturat dhe politikat e BE-së përpara anëtarësimit të plotë. Në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm pritet të nisin dialogët me vendet e procesit të zgjerimit, për të vlerësuar masat ekzistuese dhe mundësitë e mëtejshme të integrimit.
Raporti vendos theks edhe te lidhja mes zgjerimit dhe sigurisë evropiane. Sipas Kos, dezinformimi, sulmet kibernetike dhe krimi i organizuar janë sfida që prekin të gjitha vendet, ndërsa bashkëpunimi me kandidatët mund të përmirësojë shkëmbimin e informacionit, koordinimin dhe përballimin e presioneve të jashtme. Ajo veçoi qëndrueshmërinë e Ukrainës përballë agresionit rus dhe kontributin që përvoja e saj mund të japë në forcimin e sigurisë së Evropës.
Sa i përket Kosovës, komisionerja vlerësoi se vendi ka vijuar të shfaqë përkushtim ndaj perspektivës evropiane dhe se mbështetja publike për këtë rrugë mbetet e lartë. Megjithatë, ajo theksoi se ngërçi institucional gjatë periudhës së raportimit ka ndikuar në zbatimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian.
Kos shtoi se së fundmi Kosova ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave dhe shprehu shpresën se rivendosja e stabilitetit institucional, pas zgjedhjes së presidentit të ri, do t’i hapë rrugë përparimit të mëtejshëm drejt integrimit evropian.