✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

SPAK merr vlerësim, por korrupsioni mbetet plagë/ BE kërkon rezultate përfundimtare

Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, duke veçuar pavarësinë e SPAK dhe rezultatet e arritura në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, progresraporti thekson se korrupsioni mbetet një sfidë reale dhe se rezultatet e deritanishme duhet të shoqërohen me hapa të mëtejshëm konkretë.

Në raportin e siguruar nga Report TV, Komisioni kërkon më shumë vendime gjyqësore të formës së prerë për çështjet e korrupsionit të profilit të lartë. Një tjetër kërkesë lidhet me sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të pasurive që burojnë nga veprimtaria korruptive.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe rolit të institucioneve shtetërore. Komisioni kërkon më shumë referime proaktive të rasteve të dyshuara të korrupsionit drejt prokurorisë, si dhe verifikim më efektiv të deklarimeve të pasurisë dhe konflikteve të interesit.

Raporti nënvizon gjithashtu nevojën për zbatimin e masave parandaluese në sektorët me rrezik të lartë korrupsioni. Në fokus është edhe forcimi i integritetit dhe llogaridhënies në Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Vlerësimi i Komisionit Evropian evidenton kështu dy aspekte të procesit: rezultatet pozitive të SPAK në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe nevojën që hetimet të përkthehen në vendime përfundimtare, konfiskim pasurish dhe përgjegjësi më të madhe institucionale.

Advertisement