✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Veliaj i kujton Ramës të kaluarën: Unë isha aty kur të gjithë të lanë vetëm

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar përplasjen publike me kryeministrin Edi Rama përmes një tjetër reagimi nga qelia, ku këtë herë ndalet te marrëdhënia e tij me Partinë Socialiste, drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe figurat që janë aktualisht në kabinetin qeveritar.

“Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. PS jo e jo, po flas Tiranën. Jam marrë me çdo semafor, pllakë në shesh, sinjalistikë etj. Më dhemb më shumë se të gjithë ju bashkia”, shkruan Veliaj, duke theksuar lidhjen e tij me qytetin dhe punën e kryer në drejtimin e institucionit. Ai ironizon ministrat e qeverisë, duke thënë se asnjëri prej tyre nuk ka përjetuar një ditë në opozitë.

Në përgjigjen e tij, Veliaj rikujton edhe disa prej momenteve politike të së kaluarës, ku pretendon se i ka qëndruar pranë Edi Ramës, edhe në periudha kur ky i fundit ishte i izoluar politikisht. Ai përmend protestën e 21 janarit, grevën e urisë, ngjarjet e 28 janarit dhe verën e vitit 2011, duke pyetur se ku ndodheshin ministrat e sotëm në ato momente.

“Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në ‘28 janar’ dhe verën 2011, kur R. e lanë të gjithë vetëm”, shkruan kryebashkiaku, duke akuzuar bashkëpunëtorët e sotëm të kryeministrit se po e sulmojnë pa njohur historinë e përbashkët politike.

Një pjesë të reagimit Veliaj ia kushton edhe emërimeve dhe ndryshimeve në Bashkinë e Tiranës. Ai përmend nënkryetaren Etleva Bisha, Sara Goxhajn dhe Sadi Vorpsin, të cilët i cilëson si figura me kontribute në Partinë Socialiste dhe në administrimin e kryeqytetit. Në të njëjtën kohë, kritikon përfshirjen e Dash Sulës, duke e lidhur këtë me largimin e njerëzve që, sipas tij, kanë kontribuar në fitoret e socialistëve.

“PS nuk rritet nga skorjet që hedh Saliu, po nga promovimi i të rinjve brenda e jashtë PS”, shprehet Veliaj në reagimin e tij.

Përmes këtij mesazhi, kryebashkiaku vijon të kundërshtojë mënyrën se si po trajtohet çështja e drejtimit të Bashkisë së Tiranës dhe të mbrojë qëndrimin e tij brenda Partisë Socialiste. Pretendimet dhe kritikat e tij ndaj kryeministrit dhe ministrave janë pjesë e reagimit të publikuar nga vetë Veliaj.

 

Advertisement