Rajon
Dhuna barbare ndaj studentëve gjatë protestave, arrestohet Komandanti Antiterror në Serbi
Komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste të Serbisë, Igor Zhmiric, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Parë Themelore në Beograd, në kuadër të hetimeve për dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave kundër qeverisë serbe.
Sipas medias serbe “Nova.rs”, Zhmiric është një nga pesë personat e arrestuar gjatë një operacioni të zhvilluar nga inspektorët e Sektorit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në pranga kanë përfunduar gjithashtu katër pjesëtarë aktualë dhe ish-pjesëtarë të Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve.
Hetimet lidhen me ndërhyrjet e policisë gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit 2025, në bulevardin “Kralja Aleksandra”, pranë Fakultetit Juridik në Beograd, ku studentët zhvillonin protesta kundër qeverisë.
Gjatë përplasjeve, disa studentë mbetën të plagosur, ndërsa të tjerë u shoqëruan në komisariate. Një nga episodet që shkaktoi reagime ishte edhe hyrja e forcave të policisë në ambientet e Fakultetit Juridik, veprim që ngriti shqetësime për respektimin e autonomisë universitare.
Arrestimi i drejtuesit të forcave speciale vjen në një moment kur autoritetet serbe po hetojnë përgjegjësitë për ndërhyrjet policore ndaj protestuesve. Deri më tani, bëhet fjalë për arrestime në kuadër të hetimit dhe jo për vendime përfundimtare fajësie.