✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

1 viktimë dhe 10 të asfiksuar/ Drejtori i Policisë: Dyshimet e para për bombol gazi

Drejtori i Policisë së Elbasanit, Kastriot Skënderaj, ka dhënë detaje të reja lidhur me shpërthimin e fuqishëm në pallatin pesëkatësh në Elbasan, ku një grua ka humbur jetën dhe një person tjetër rezulton ende i pagjetur.

Sipas Skënderajt, telefonata për ngjarjen është marrë në sallën operative rreth orës 16:40. Shërbimet e Policisë, të cilat ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, kanë mbërritur menjëherë dhe kanë konstatuar zjarr në katin e tretë të pallatit.

Efektivët kanë ndërhyrë për të nxjerrë banorët nga apartamentet, përfshirë edhe personat që ishin asfiksuar nga tymi. Drejtori i Policisë konfirmoi se një grua ka humbur jetën, ndërsa një person që ndodhej në katin e tretë nuk është gjetur ende.

Sa i përket shkakut të shpërthimit, Skënderaj tha se ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Dyshimet e para lidhen me një bombol gazi, por kjo pistë duhet të verifikohet nga ekspertët dhe shërbimet zjarrfikëse. Në vendngjarje priten edhe grupe të specializuara nga Tirana, të cilat do të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave.

“Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, por në këtë fazë nuk mund të japim një shkak të saktë për atë që ka ndodhur”, deklaroi Skënderaj, duke theksuar se pas shuarjes së zjarrit dhe përfundimit të verifikimeve do të ketë më shumë informacion për ngjarjen.

Advertisement