Rajon
Moska “nuk heq dorë” nga Serbia dhe pas largimit të Vuçiç: Presim formimin e qeverisë së re
Rusia është e gatshme të rikthehet në negociatat për një marrëveshje afatgjatë të furnizimit me gaz për Serbinë, por bisedimet do të presin formimin e institucioneve të reja shtetërore në Beograd. Deklarata u bë nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, gjatë një konference për shtyp.
E pyetur për zhvillimet politike në Serbi pas zgjedhjeve dhe njoftimin se një delegacion i Listës Studentore synon të udhëtojë drejt Moskës për të negociuar një kontratë afatgjatë gazi, Zakharova tha se Rusia po i ndjek nga afër zhvillimet në vend.
Ajo theksoi se Moska pret që Serbia ta kalojë me sukses periudhën paszgjedhore dhe se diskutimet për marrëveshjen e gazit mund të rifillojnë pasi të formohet qeveria e re dhe të mbërrijnë kërkesat zyrtare nga pala serbe.
“Duhet t’i kthehemi kësaj teme pas formimit të autoriteteve shtetërore në Serbi dhe kur ata të dërgojnë kërkesat zyrtare përkatëse”, deklaroi Zakharova.
Zëdhënësja ruse shtoi se komunikimi mes përfaqësuesve të dy vendeve ka vijuar edhe jashtë kanaleve zyrtare qeveritare. Sipas saj, Moska mbetet e gatshme të ruajë kontaktet me Beogradin mbi bazën e respektit të ndërsjellë.
Më herët, Radomir Saičić kishte deklaruar për revistën “NIN” se Lista Studentore synon të dërgojë një delegacion në Moskë për të negociuar një marrëveshje afatgjatë të furnizimit me gaz, duke zëvendësuar kontratën aktuale afatshkurtër tre mujore.