Bota
Mesazhi i Melonit për BE-në: Përçarja rrezikon sigurinë e Europës
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i ka kërkuar Bashkimit Europian të unifikojë qëndrimin për luftën në Ukrainë, duke paralajmëruar se mungesa e koordinimit mes vendeve anëtare rrezikon të dobësojë zërin e Europës në një moment vendimtar për sigurinë e kontinentit.
Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, Meloni thekson se Europa duhet të flasë me një zë të vetëm për konfliktin, duke e cilësuar këtë si një nevojë urgjente përballë zhvillimeve të fundit.
Sipas kryeministres italiane, mungesa e një qëndrimi të përbashkët krijon përshtypjen e një Europe të përçarë dhe pa koordinim. Ajo paralajmëron se një situatë e tillë mund të favorizojë palët që dëshirojnë vazhdimin e luftës.
“ Të japim imazhin e një Europe që ecën përpara pa koordinim do të thotë të favorizojmë ata që dëshirojnë vazhdimin e luftës”, shkruan Meloni, duke nënvizuar se në këtë proces janë në lojë jetë njerëzore dhe e ardhmja e sigurisë europiane.
Në letrën drejtuar Costës, Meloni sqaron gjithashtu se kërkesa për një koordinim më të madh nuk lidhet me synimin për t’i siguruar Italisë një pozicion të veçantë në tryezat e diskutimit për Ukrainën. Ajo thekson se nuk kërkon asnjë rol personal në këtë proces dhe se çështja, sipas saj, ka të bëjë me nevojën për një qasje të përbashkët europiane.