Rajon
Marta Kos takon studentët serbë: Serbia ka shansin për një fillim të ri
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka zhvilluar në Bruksel një takim me një delegacion prej katër përfaqësuesish të “Listës së Studentëve”, lëvizjes që, sipas raportimit të Gazetës Tema, fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi.
Takimi u zhvillua me ftesë të komisioneres dhe përbën kontaktin e parë të këtij niveli mes përfaqësuesve të lëvizjes dhe zyrtarëve të Bashkimit Europian pas zgjedhjeve të 25 tetorit.
Gjatë një fjalimi para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian, Kos konfirmoi zhvillimin e takimit dhe e cilësoi situatën në Serbi si një mundësi për ndryshim politik dhe institucional.
“Serbia ka një mundësi për një fillim të ri”, deklaroi komisionerja europiane.
Sipas saj, qeveria e re ka mundësinë të forcojë institucionet demokratike, të përmirësojë mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të ndërmarrë reformat e nevojshme për avancimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kos rikonfirmoi gjithashtu gatishmërinë e Brukselit për të mbështetur Serbinë në zbatimin e reformave demokratike dhe institucionale. Ky mesazh vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes autoriteteve serbe dhe lëvizjes studentore, si dhe perspektiva europiane e vendit, mbeten në qendër të zhvillimeve politike.