✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Veliaj i izoluar në ambientet e spitalit/ Ndreca: Nuk na japin grafitë dhe rezonancën, situatë absurde

Avokati Plarent Ndreca ka ngritur shqetësimin për mungesën e dokumentacionit mjekësor të Erion Veliajt, pas takimit me kryebashkiakun e Tiranës në burgun e Fierit. Ndreca deklaroi se ende nuk ka marrë kopjet e grafisë dhe rezonancës, të cilat kërkon t’i konsultojë me mjekë specialistë për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të klientit të tij.

Avokati e cilësoi situatën absurde, duke pretenduar se Veliajt po i mohohet informacioni mbi rezultatet e ekzaminimeve mjekësore. Sipas tij, mungesa e dokumentacionit po pengon edhe vlerësimin e pasojave të mundshme shëndetësore. Ndreca tha gjithashtu se kryebashkiaku vijon të qëndrojë i izoluar në ambientet e spitalit, pa mundësi komunikimi me persona të tjerë, ndërsa ngriti pretendime edhe për kufizimet gjatë kohës së ajrimit.

I pyetur për kërkesën e Veliajt për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste, Ndreca u shpreh se ajo është një e drejtë legjitime e klientit të tij si anëtar i kësaj force politike.

Avokati komentoi edhe kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, duke sqaruar se ajo lidhet me pretendimet e Veliajt për kërcënime nga kryeministri Edi Rama, të përcjella përmes ministrit të Drejtësisë. Sipas Ndrecës, Kuvendi ka detyrimin kushtetues të ushtrojë kontroll mbi ekzekutivin dhe të shqyrtojë rrethanat e transferimit të Veliajt nga Durrësi në Fier.

Advertisement