✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Rama takon Zelenskyn në Dublin: Europa duhet të kuptojë se ky gabim ka një çmim…

Kryeministri Edi Rama është takuar me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në Dublin të Irlandës, përpara nisjes së punimeve të Samitit të 9-të të Komunitetit Politik Europian. Takimi mes dy liderëve zhvillohet në një moment kur siguria e kontinentit dhe lufta në Ukrainë mbeten ndër çështjet kryesore të diskutimit mes përfaqësuesve europianë.

Përpara takimit, Rama ka përsëritur qëndrimin e tij se Europa duhet të marrë vetë iniciativën diplomatike dhe të hapë një kanal komunikimi me Rusinë, pa ndërprerë mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Sipas kryeministrit, një nga gabimet e Europës ka qenë delegimi i diplomacisë te aktorë të tjerë ndërkombëtarë, veçanërisht te presidenti amerikan Donald Trump.

Rama argumentoi se negociatat me Moskën nuk duhet t’u lihen vetëm Shteteve të Bashkuara, Kinës apo Indisë, por duhet të jenë edhe përgjegjësi e vetë Europës. Ai paralajmëroi se mungesa e një qasjeje diplomatike mund të ketë kosto gjithnjë e më të lartë për kontinentin.

“Europa ia ka nënkontraktuar diplomacinë e saj Donald Trumpit. Ky është rezultati. Europa duhet të kuptojë se ky gabim ka një çmim dhe do të bëhet më i lartë nëse Europa nuk flet me rusët, ndërkohë që mbështet Ukrainën”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se mbështetja për Ukrainën mbetet e domosdoshme, por sipas tij, ajo duhet të shoqërohet me përpjekje diplomatike për të diskutuar të ardhmen e sigurisë europiane. Ai u shpreh se Rusia do të mbetet pjesë e realitetit gjeopolitik të kontinentit dhe se Europa duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për dialog.

Advertisement