Politike
“Në shërbim të Serbisë”/ Meta sulmon SPAK: Hetimet ndaj meje u ndikuan nga Yuri Kim
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme se hetimet ndaj tij janë ndikuar nga ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, dhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Në deklaratat e tij, Meta pretendoi se SPAK ka kryer shkelje dhe se veprimet e institucionit janë diktuar nga ndikime të jashtme.
“Prokuroria ka bërë veç shkelje e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë”, u shpreh Meta, duke drejtuar akuza të rënda ndaj ish-diplomates amerikane.
Ai riktheu gjithashtu pretendimet për ndërhyrje të përfaqësuesve të ambasadave të huaja gjatë kohës kur ishte President i Republikës, në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta tha se ishte kërcënuar nga përfaqësues të pesë ambasadave, të cilët, sipas tij, kërkonin që në këtë institucion të emërohej Arta Vorpsi dhe jo Marsida Xhaferllari.
“Jam kërcënuar si President i Republikës nga pesë fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin pesë ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi”, deklaroi ai.
Sa i përket çështjes së lobimit, për të cilën është hetuar, Meta u shpreh se është i gatshëm të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara me shpenzimet e tij dhe të përballet me drejtësinë amerikane, nëse autoritetet atje do të konstatojnë qoftë edhe një shkelje të vetme nga ana e tij.