✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

ALIMEHMETI MERR BEKIMIN E BERISHES PER TIRANEN: DUA ALEANCE, QORI: DERA IME ESHTE E MBYLLUR

Ilir Alimehmeti duket se është një nga emrat që Sali Berisha sheh si kandidat potencial të opozitës për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme lokale. Por, pavarësisht mbështetjes që ka brenda Partisë Demokratike, Alimehmeti synon një formulë më të gjerë politike, duke kërkuar bashkimin e të gjitha forcave opozitare rreth një kandidati të vetëm.

Në një intervistë për Top Channel, ai ka bërë thirrje për një marrëveshje mes partive kundërshtare të mazhorancës, duke propozuar që kandidati të përcaktohet përmes sondazheve, zgjedhjeve paraprake apo edhe një votimi të drejtpërdrejtë të qytetarëve në shesh.

“Duhet konsensus midis të gjitha forcave opozitare. Unë mendoj, besoj dhe shpresoj që këto forca të kenë atë ndërgjegje për t’u ulur bashkë dhe ta zgjidhin në mënyrën e tyre. Por të kishin një kandidat të përbashkët”, deklaroi Alimehmeti, duke shtuar se një opozitë me një kandidat të vetëm do të kishte një avantazh të madh në garën për kryeqytetin.

Por thirrja e tij për bashkim ka hasur menjëherë në refuzimin e Arlind Qorit. Kreu i Lëvizjes Bashkë ka përjashtuar çdo bashkëpunim me Sali Berishën dhe kandidatin që mund të mbështetet prej tij, duke paralajmëruar se partia e tij do të garojë e vetme në zgjedhjet lokale.

“Rama dhe Berisha e kanë vendin në burg, siç thotë sheshi”, deklaroi Qori, duke kritikuar ashpër qëndrimet e kryedemokratit dhe ofertën e tij për bashkëpunim.

Ndërkohë, një tjetër qëndrim vjen nga nismëtari i Forumit për Dialogun Politik, i cili nuk e përjashton mundësinë e një kandidature konsensuale si ajo e Ermal Hasimes. Sipas tij, përpara se opozita të diskutojë emrat, duhet të përcaktojë kriteret që duhet të plotësojë kandidati: të jetë konsensual, të vijë nga sheshi dhe të ketë kapacitetin për t’u përballur politikisht me qeverinë nga Bashkia e Tiranës.

Edhe Agron Shehaj ka refuzuar ofertën për bashkëpunim me Berishën, ndërsa Adriatik Lapaj ka shprehur mbështetjen për Florian Binajn, i cili ka shpallur ambicien për të garuar sërish si kandidat i pavarur.

Kështu, gara për Bashkinë e Tiranës po shoqërohet që tani me një përplasje jo vetëm për emrin e kandidatit, por edhe për formulën politike që do të ndjekë opozita. Alimehmeti kërkon një front të përbashkët, por refuzimet e Qorit dhe Shehajt, si dhe mbështetja e Lapajt për Binajn, tregojnë se rruga drejt një kandidature të vetme mbetet e hapur për negociata, por larg një marrëveshjeje të sigurt.

Advertisement