Kosova
E goditi 40 herë me kaçavidë, shqiptari që vrau gruan, mendonte se ishte shtrigë
Një 47-vjeçar me origjinë nga Kosova po gjykohet në Austri, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij 38-vjeçare. Sipas aktakuzës, ai fillimisht e qëlloi gruan tri herë me armë zjarri dhe më pas e goditi rreth 40 herë me kaçavidë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 prill 2026, ditën e Pashkëve, në Sooß, në distriktin e Badenit.
Sipas prokurorisë, 47-vjeçari kishte shkuar në banesën e bashkëshortes, nga e cila ishte ndarë, duke i çuar dhurata për festën e Pashkëve. Pas një debati mes tyre, ai dyshohet se nxori pistoletën dhe qëlloi drejt saj në krah, qafë dhe fytyrë. Më pas e sulmoi me kaçavidë, duke i shkaktuar plagë fatale.
Çifti kishte qenë i martuar prej 19 vitesh dhe kishte katër fëmijë. Problemet në marrëdhënien e tyre ishin thelluar që në vitin 2019, kur, sipas akuzës, burri kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Pas këtij episodi, gruaja ishte larguar dhe ishte vendosur me fëmijët në Sooß.
Prokuroria pretendon se 47-vjeçari nuk e kishte pranuar ndarjen dhe vazhdonte të kërkonte kontakte me të. Në aktakuzë përmendet edhe bindja e tij se bashkëshortja merrej me magji të zezë dhe se kjo po ndikonte negativisht te fëmijët. Atij i ishte konstatuar një çrregullim i personalitetit skizotipik, por ekspertiza nuk kishte arritur në përfundimin se kjo gjendje e përjashtonte përgjegjësinë e tij penale.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se arma e përdorur në krim ishte siguruar disa muaj më parë. Bëhet fjalë për një pistoletë Beretta 1934, të cilën i akuzuari dyshohet se e kishte blerë për 900 euro nga një 45-vjeçar. Ky i fundit akuzohet se kishte qenë në dijeni të planit të dyshuar për vrasjen, por megjithatë kishte pranuar t’ia shiste armën. Pas blerjes, pistoleta ishte fshehur pranë stacionit të trenit në Sooß.
Më 12 nëntor, 47-vjeçari u paraqit para Gjykatës së Wiener Neustadt për t’u përballur me akuzat. Sipas medias austriake “Heute”, ai hyri në sallën e gjyqit me buzëqeshje në fytyrë, i veshur me rroba të errëta dhe me duart e prangosura. Pasi iu hoqën prangat, në përgjigje të paralajmërimit të gjyqtares për sjelljen gjatë procesit, ai deklaroi: “Unë nuk i bëj keq askujt. Vetëm nëse është vetëmbrojtje”.
47-vjeçari akuzohet për vrasjen e bashkëshortes, ndërsa 45-vjeçari për sigurimin e armës, në dijeni të planit të dyshuar. Ngjarja la katër fëmijë pa nënën e tyre. Të dy të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.