✦
Thinking ...
Connect with us

Rajon

Vëllai arrestohet për doping, Pirro Dhima jep dorëheqjen, ministria greke nuk ia pranon

Kampioni olimpik Pirro Dhima ka paraqitur dorëheqjen nga posti i këshilltarit special në Ministrinë e Sportit në Greqi, pas skandalit të dopingut ku është përfshirë vëllai i tij, Odise Dhima.

Megjithatë, sipas raportimeve të mediave greke, dorëheqja e tij nuk është pranuar nga zëvendësministri i Sportit, Yiannis Vroutsis.

Çështja lidhet me arrestimin e 58-vjeçarit Odise Dhima, i cili u ndalua mëngjesin e 12 nëntorit në një zonë të Atikës, nën dyshimin se, në cilësinë e trajnerit të peshëngritjes, furnizonte sportistë me substanca të ndaluara që prej prillit të vitit 2024.

Hetimi disa mujor, i zhvilluar në bashkëpunim me Organizatën Greke Kundër Dopingut dhe Organizatën Kombëtare të Barnave, zbuloi gjithashtu një rast të dyshuar të administrimit të një substance të ndaluar ndaj një sportisti të mitur gjatë një gare.

Analizat e kryera ndaj sportistit kishin evidentuar praninë e një substance të përfshirë në listën e ndaluar të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA). Ndërkohë, ndaj trajnerit dhe sportistit ishin vendosur më herët masa pezullimi.

Gjatë kontrolleve në banesën e Odise Dhimës dhe në disa ambiente sportive në Atikë, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme materialesh dhe sendesh.

Bëhet fjalë për 871 tableta dhe ampula me preparate të paligjshme, 17 karta sportistësh, shënime personale, një telefon celular dhe 15 mijë euro.

Sipas autoriteteve greke, substancat e sekuestruara nuk janë të miratuara për tregun vendas dhe konsiderohen potencialisht të rrezikshme për shëndetin e përdoruesve.

Odise Dhima është dërguar përpara autoriteteve gjyqësore, ndërsa ndaj tij po zhvillohen hetime për shkelje të legjislacionit që lidhet me sportin dhe barnat e dëmshme.

Në këtë situatë, Pirro Dhima ka vendosur të paraqesë dorëheqjen nga funksioni i tij në Ministrinë e Sportit, por largimi i tij nuk është miratuar nga zëvendësministri Yiannis Vroutsis.

Advertisement