✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

“Ka ndryshuar edhe skema e bebeve”, Rama nga Asambleja e PS së Tiranës: Nuk do të ngelin pa pension nënat që kujdes për fëmijë me aftësi ndryshe

Kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryeministri Rama, po mban fjalën e tij në Asamblenë e PS Tiranë.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë ka prezantuar disa nga masat e parashikuara në buxhet për mbështetjen e pensionistëve dhe familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuara.

Fjala e Ramës:

Ne nuk i kthejmë dot mbrapsht vitet që ikën, por ne, falë rritjes ekonomike, mund t’ua bëjmë pak më të lehta dhe çdo vit më të lehta vitet që kanë përpara.

Ja pse, nga 1 janari, siç parashikohet në buxhet, bonusi i tyre i fundvitit do të rritet. Rritja do të jetë dyfishi i rritjes së vitit të shkuar. Indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill.

Askush nga pensionistët të mos mendojë se mjafton. Jo. Por ka një ndryshim mes pensionit që nuk rritet dhe pensionit që rritet çdo vit. Vitin e ardhshëm, pas këtij që vjen, përsëri do të dyfishohet rritja dhe, po ashtu, edhe në vitin e fundit të mandatit do të rritet dyfish.

Ka ndryshuar edhe skema e bebeve. Jo më me një dorë të zgjatur dhe një urim për ditën e lindjes, por me një ndihmë çdo muaj për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare. Duam t’i rrimë pranë familjes pikërisht kur një gëzim i madh vjen në shtëpi, por edhe me një barrë të posaçme. Ambicia jonë është të shkojmë përtej kësaj, të rrisim ekonominë dhe ta shtrijmë mbështetjen në vite dhe çdo muaj.

Njohja e sigurimeve për kujdestarët e fëmijëve me aftësi ndryshe është një tjetër shenjë në drejtimin e duhur. Janë të shumta nënat që e kanë të pamundur të shkojnë në punë, sepse bëjnë një punë tjetër pa orar, pa pushim javor, pa luksin për të thënë “u lodhëm”, duke i qëndruar mbi kokë një fëmije që ka nevojë për kujdes në çdo orë e çast.

U themi të gjitha atyre nënave dhe prindërve: Ju nuk jeni vetëm, ne ju shohim. Ju nuk mund të mbeteni pa pension dhe pa kujdes mjekësor sepse nuk paguani kontribute. Ne do t’i paguajmë për ju.

Advertisement