Bota
Gjendet i vdekur ish-kreu i Policisë italiane, hetohej për masakrën e Borsellinos
Ish-kreu i Policisë së Shtetit në Itali, Gianni De Gennaro, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare në banesën e tij në Toskanë. Sipas informacioneve paraprake të mediave italiane, dyshohet se ai ka humbur jetën nga një plagë e shkaktuar me armë zjarri. Pranë trupit është gjetur edhe një armë, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten nën hetim.
Prokuroria e Grossetos ka hapur një dosje hetimore për veprën penale të nxitjes së vetëvrasjes, pa paragjykuar në këtë fazë shkaqet apo përgjegjësitë e mundshme. Autoritetet po punojnë për të rindërtuar momentet e fundit të jetës së tij.
Sipas të dhënave paraprake, De Gennaro ndodhej i vetëm në banesë. Familjarët ishin shqetësuar pasi nuk kishin mundur të kontaktonin me të që prej mbrëmjes së kaluar. Rreth orës 09:00, punonjësit e banesës njoftuan karabinierët, të cilët më pas kontaktuan shërbimin e urgjencës 118 për të raportuar vdekjen.
Ngjarja vjen në një moment kur emri i ish-zyrtarit ishte përfshirë në një hetim të ri për masakrën e Via D’Amelios, ku në vitin 1992 u vranë gjyqtari antimafia Paolo Borsellino dhe pesë pjesëtarë të eskortës së tij.
De Gennaro po hetohej për dyshime lidhur me pengimin dhe devijimin e hetimeve për këtë masakër. Më 1 dhjetor ai pritej të paraqitej përpara Gjykatës së Rishikimit në Caltanissetta. Pasi gjyqtari i hetimeve paraprake kishte rrëzuar kërkesën për arrestimin e tij, Prokuroria e Caltanissettas kishte paraqitur ankim.
Sipas mediave italiane, banesa në Toskanë ku u gjet i pajetë ishte kontrolluar disa ditë më parë nga efektivët e ROS-it të Karabinierëve, në kuadër të hetimeve për masakrën e Via D’Amelios. Kontrolli ishte pjesë e një serie veprimesh të urdhëruara nga Prokuroria e Caltanissettas.
Hetimet për vdekjen e De Gennaros vijojnë, ndërsa autoritetet italiane pritet të sqarojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe nëse ka pasur përfshirje apo përgjegjësi të personave të tjerë.