Politike
Rama flet për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut: Janë popullsi shtetformuese
Kryeministri Edi Rama ka komentuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar rëndësinë e respektimit të sovranitetit dhe mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të dy vendeve.
Gjatë deklaratës së tij, Rama u ndal veçanërisht te pozita e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar se ata kanë statusin e popullsisë shtetformuese dhe mundësitë për t’u përfaqësuar në institucionet e shtetit fqinj.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të mbështeten te respekti reciprok dhe se ndërhyrjet e kryeministrave në çështjet e brendshme të njëri-tjetrit nuk kontribuojnë në forcimin e lidhjeve mes tyre.
“Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet sovran, ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe kanë të gjitha rrugët dhe mundësitë që të përfaqësohen. Kështu që unë nuk mendoj se i ndihmon marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve asnjë ndërhyrje e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër”, u shpreh Rama.
Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur çështjet që lidhen me përfaqësimin e shqiptarëve dhe zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut mbeten pjesë e diskutimeve në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Shkupit.