✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Rama: TVSH-ja për 54 produkte zbret nga 20% në 6%

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se TVSH-ja për 54 produkte do të ulet nga 20% në 6%, një masë që sipas qeverisë synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve shqiptare dhe të ndikojë në uljen e kostove të produkteve të përditshme.

Gjatë podcastit të tij “FLASIM”, kreu i qeverisë theksoi se ulja e taksës duhet të reflektohet drejtpërdrejt në çmimet që paguajnë konsumatorët dhe nuk duhet të mbetet thjesht një ndryshim në legjislacion.

Rama u bëri thirrje tregtarëve që të tregojnë përgjegjshmëri në zbatimin e kësaj mase, ndërsa paralajmëroi se qeveria do të monitorojë mënyrën se si do të reflektohet ulja e TVSH-së në treg.

Një tjetër instrument që, sipas kryeministrit, do të ndihmojë në rritjen e transparencës është platforma digjitale “Pasqyra e Çmimeve”. Aktualisht, në këtë platformë janë të publikuara 224 produkte, së bashku me çmimet përkatëse.

Përmes saj, qytetarët mund të krahasojnë çmimet në pika të ndryshme shitjeje dhe të orientohen drejt alternativave më ekonomike për blerjet e tyre.

“Për 54 produkte, Parlamenti me propozim të qeverisë vendosi të ulë tatimin mbi vlerën e shtuar nga 20 në 6%. Kjo ulje nuk duhet të mbetet në shifrat e ligjit, duhet që edhe zbatimi në praktikë të shoqërohet nga njëra anë me vetëdije dhe përgjegjshmëri nga tregtarët, por edhe me monitorim nga ana e qeverisë. Ne kemi një instrument të ri, që është aktiv dhe me rezultate inkurajuese, me Pasqyrën e Çmimeve. 224 produkte janë të ekspozuara me çmimet”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, kombinimi i uljes së TVSH-së me transparencën që ofron platforma synon të rrisë konkurrencën mes bizneseve dhe të garantojë që përfitimi nga kjo masë fiskale të mbërrijë te konsumatorët.

Mbetet për t’u parë se sa do të reflektohet konkretisht kjo ulje në çmimet përfundimtare të produkteve dhe çfarë ndikimi do të ketë në buxhetet familjare.

Advertisement