Politike
Balla me blegtorët: Leja për një stallë duhet të jetë më e lehtë se për një vilë
Lehtësimi i procedurave për ndërtimin e stallave dhe rritja e mbështetjes financiare për blegtorët kanë qenë në fokus të një takimi të zhvilluar në Tiranë nga Taulant Balla dhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla, me fermerë dhe prodhues të qumështit.
Gjatë bashkëbisedimit, Balla kërkoi thjeshtimin e procedurave për pajisjen me leje ndërtimi për stallat, duke theksuar se fermerët duhet të përballen me më pak burokraci kur investojnë në zhvillimin e aktivitetit të tyre.
“Procesi i pajisjes me leje ndërtimi për një stallë duhet të jetë të paktën më i lehtë se procesi i pajisjes me leje ndërtimi për një vilë. Shqipëria në vitin 2030 do të jetë në Bashkimin Europian dhe, për t’i paraprirë konkurrencës së madhe, duhet të fillojmë që tani të përgatitemi, duke rritur standardet”, u shpreh Balla.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte mbështetja financiare për blegtorinë. Gjatë takimit u bë e ditur se në buxhet është parashikuar një mbështetje prej 120 mijë lekësh për krerë, ndërsa nga 1 janari është parashikuar edhe ulja e çmimit të naftës me 320 lekë.
TVSH-ja e qumështit nga 20% në 6%, Balla zbulon koston për buxhetin
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe uljes së TVSH-së për produktet ushqimore, përfshirë qumështin, nga 20% në 6%.
Sipas Ballës, kjo masë do të shoqërohet me një efekt financiar të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit, pasi të ardhurat që nuk do të mblidhen nga ulja e TVSH-së llogariten në rreth 150 milionë euro.
“Vetëm nga ulja e TVSH-së së ushqimeve, që është për qumështin, nga 20% shkon në 6%. Gjithë totali që qeveria nuk do të mbledhë më është 150 milionë euro”, deklaroi Balla.
Gjatë takimit, fermerët dhe prodhuesit e qumështit diskutuan gjithashtu për problematikat që shoqërojnë aktivitetin e tyre, nevojën për investime dhe rritjen e standardeve të prodhimit.
Përfaqësuesit e qeverisë theksuan rëndësinë e përgatitjes së sektorit të blegtorisë për konkurrencën në tregun europian, në kuadër të objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030.