Bota
Trump mban në ankth Teheranin, krizë energjetike, familjeve u kufizohet edhe buka
Irani po përballet me vështirësi gjithnjë e më të mëdha në furnizimin me energji elektrike dhe produkte bazë, ndërsa pasiguria për zhvillimet e ardhshme ushtarake dhe diplomatike me Shtetet e Bashkuara po shton presionin mbi autoritetet në Teheran.
Nga 22 nëntori, vendi ka nisur zbatimin e kufizimeve në shpërndarjen e energjisë elektrike, me ndërprerje që mund të zgjasin deri në dy orë në ditë, në varësi të zonës.
Lajmi u konfirmua nga Mohammad Allahdad, drejtues i kompanisë kombëtare të energjisë elektrike, i cili deklaroi për televizionin shtetëror se masat janë të nevojshme për shkak të vështirësive në furnizimin me karburante.
“Duke pasur parasysh gjendjen e furnizimit të vendit me karburante, sektori i energjisë elektrike do të detyrohet të vendosë kufizime në shpërndarjen e rrymës nga e diela”, deklaroi ai.
Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, fajësoi sulmet amerikane dhe izraelite ndaj infrastrukturës energjetike për përkeqësimin e situatës, duke paralajmëruar vështirësi gjatë muajve të dimrit.
Sipas tij, goditjet ndaj infrastrukturës së gazit kanë rënduar më tej problemet ekzistuese të furnizimit.
Kufizime edhe për bukën, qytetarët përballen me çmime më të larta
Përveç energjisë elektrike, autoritetet iraniane kanë ndërmarrë masa edhe për kufizimin e blerjes së bukës së subvencionuar.
Skema e quajtur “menaxhimi i blerjes së bukës” është aktivizuar përmes sistemeve elektronike në furrat e bukës në tri provinca: Markazi, Khuzestan dhe Zanjan.
Sipas raportimeve të mediave iraniane, familjet kanë një kuotë mujore për blerjen e bukës me çmim të subvencionuar. Pasi të shpenzojnë sasinë e përcaktuar, ato detyrohen ta blejnë produktin me një çmim rreth pesë herë më të lartë.
Masa është zbatuar pa një njoftim të mëparshëm publik, duke shkaktuar paqartësi dhe pakënaqësi te konsumatorët dhe furrtarët.
Vendimi ka nxitur kritika edhe nga ekonomistë dhe media iraniane, ndërsa zyrtarët kanë dhënë shpjegime të ndryshme për arsyet e kufizimeve.
Trump kërkon marrëveshje të përhershme me Teheranin
Në planin diplomatik, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të arrijë një marrëveshje afatgjatë me Iranin, e cila të mos mund të anulohet nga presidentët e ardhshëm amerikanë.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se aktualisht po zhvillon kontakte me një grup të ri drejtuesish iranianë, të cilët i cilësoi si potencialisht më të arsyeshëm se paraardhësit e tyre.
“Disa njerëz flasin për ndryshimin e regjimit, por duhet të shpjegojnë se çfarë nënkuptojnë me këtë, sepse unë tashmë kam eliminuar dy regjime. Eliminova grupin e parë, pastaj edhe të dytin. Tani po merremi me grupin e tretë”, u shpreh Trump.
Ai shtoi se nuk po nxiton të marrë një vendim përfundimtar lidhur me Iranin dhe se zhvillimet do të vlerësohen pas fillimit të vitit të ri.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur mbetet e paqartë nëse Uashingtoni do të vazhdojë rrugën diplomatike apo do të urdhërojë një tjetër valë sulmesh ushtarake.
SHBA dhe Izraeli shqyrtojnë mundësinë e sulmeve të reja
Ndërkohë, sipas një raportimi të televizionit amerikan CBS, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po shqyrtojnë mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve të tjera ndaj Iranit.
Raportimi, i bazuar në burime, vjen pas mungesës së përparimit në negociatat e ndërmjetësuara nga Katari dhe Omani.
Një javë më parë, Trump ishte shprehur se ishte shumë e pamundur që të urdhëronte sulme të reja, për sa kohë që negociatat vijonin. Megjithatë, mundësia e një përshkallëzimi të ri nuk është përjashtuar plotësisht.
Lufta me Iranin është konsideruar gjithashtu një prej faktorëve që ndikuan në rezultatin negativ të republikanëve në zgjedhjet e fundit afatmesme në Shtetet e Bashkuara.
Tashmë, pas përfundimit të zgjedhjeve, vëmendja është përqendruar te vendimi i ardhshëm i administratës Trump: vazhdimi i negociatave për një marrëveshje të re apo rikthimi te opsioni ushtarak.
Ndërkohë, qytetarët iranianë përballen me pasojat e krizës energjetike dhe kufizimet për produktet bazë, në një periudhë kur vendi po hyn në muajt më të ftohtë të vitit.