✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Nga persekutimi komunist te karriera në mjekësi dhe politikë, ndahet nga jeta kirurgu Ylli Ziçishti

Mjeku i njohur kirurg Ylli Ziçishti ka ndërruar jetë këtë 26 nëntor. Ai ishte një nga emrat e njohur të mjekësisë shqiptare, ndërsa për një mandat ka qenë edhe pjesë e politikës, si deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë gjatë viteve 2013-2017.

I lindur më 15 shkurt 1950 në Tiranë, me origjinë familjare nga Ziçishti i Devollit, Ylli Ziçishti ndërtoi një karrierë të gjatë në sistemin shëndetësor. Ai ishte djali i Mihallaq Ziçishtit dhe nipi i Llambi Ziçishtit, ish-ministrit të Shëndetësisë, i cili u arrestua dhe u ekzekutua në vitin 1983, gjatë goditjeve politike të regjimit komunist.

Historia e familjes së tij u shoqërua me persekutim. Në fillim të viteve ’80, Ylli Ziçishti u internua fillimisht në Koman dhe më pas në Dukagjin. Në vitin 1983 u transferua në Tepelenë, ku vijoi të ushtronte profesionin e kirurgut. Gjatë kësaj periudhe, për shkak të presionit ndaj familjes, u detyrua të qëndronte për një kohë i ndarë nga bashkëshortja dhe djali i tij.

Pas përfundimit të studimeve për mjekësi në Tiranë, ai u specializua edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vijim të karrierës, u bë një nga figurat e njohura të kirurgjisë në vend, duke shërbyer për 16 vite si shef i Urgjencës në Spitalin Universitar të Traumës.

Në vitin 2013, Ziçishti iu bashkua Partisë Socialiste dhe u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë për qarkun e Korçës, duke përfaqësuar zonën e Devollit. Ai e mbajti mandatin parlamentar deri në vitin 2017.

Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një mjeku që për dekada kontribuoi në sistemin shëndetësor shqiptar dhe që për një periudhë u angazhua edhe në jetën politike të vendit.

Advertisement