✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

SHQIPERIA PERFITON SHTESE NGA FONDET PER BALLKANIN

Shqipëria pritet të përfitojë 15% më shumë fonde nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të një vendimi për rishpërndarjen e financimeve drejt vendeve që kanë shënuar më shumë përparim në zbatimin e reformave.

Lajmi u konfirmua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila deklaroi se Brukseli do të zhvendosë një pjesë të fondeve të parashikuara fillimisht për Serbinë, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas raportimit të Politico Europe, Shqipëria dhe Mali i Zi pritet të përfitojnë nga një rritje prej 15% e financimeve, ndërsa Maqedonia e Veriut do të marrë 10% më shumë.

Ky rishpërndarje lidhet drejtpërdrejt me mekanizmin e kushtëzimit të Planit të Rritjes, sipas të cilit financimet evropiane varen nga përmbushja e reformave dhe afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Vendet që përparojnë në zbatimin e angazhimeve të tyre mund të përfitojnë fonde shtesë, ndërsa ato që nuk përmbushin detyrimet rrezikojnë të humbasin një pjesë të financimit.

Komisioni Evropian e konsideron përmbushjen e reformave si kusht kryesor për përfitimin nga fondet. Rregullat e mekanizmit parashikojnë shprehimisht mundësinë e reduktimit të financimeve për vendet që nuk plotësojnë kushtet dhe rishpërndarjen e tyre te përfituesit e tjerë që kanë përmbushur angazhimet.

Për Shqipërinë, rritja e financimit përfaqëson një mundësi për të siguruar më shumë mbështetje evropiane për investimet publike, zhvillimin ekonomik, infrastrukturën dhe projektet e lidhura me procesin e integrimit në BE.

Sipas Komisionit Evropian, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ka një fond total prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027, nga të cilat 2 miliardë euro janë grante dhe 4 miliardë euro kredi të favorshme.

Rishpërndarja e re sinjalizon se përfitimi nga fondet evropiane do të lidhet gjithnjë e më shumë me rezultatet konkrete të reformave dhe përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra nga secili vend.

Advertisement